Bytyqi: Në vitin 2024 nuk ka rritje pagash për funksionarët
Funksionarët nuk do të marrin paga më të larta....

Funksionarët nuk do të marrin paga më të larta vitin e ardhshëm, për shkak se me buxhetin e vitit 2024 nuk janë planifikuar mjete për rritjen e pagave të funksionarëve, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Ai shton se me një ligj nuk mund të adresohen të gjithë 1,260 pagat e zyrtarëve, për këtë arsye së shpejti pritet që grupi punues të dalë me propozim për zgjidhje sistematike të pagave, i cili më pas do të procedohet në Kuvend.
“Ajo që u paralajmërua me pompozitet se do të ketë rritje të pagave për funksionarët, nuk do të jetë pjesë në buxhetin e ri. Ajo që po planifikojmë në buxhetin e vitit 2024 është shkurtime të caktuara të detyrimeve për rritjen e pagave. Gjithashtu do të ketë shkurtime edhe në sektorë të tjerë në të cilën shohim se ka shpenzime joproduktive.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.
Nëse kushtetuesja anulon tatimin solidar? Bytyqi: Do t’u kthehen paratë kompanive
I pyetur për tatamin solidar, Bytyqi tha se në rast se Gjykata Kushtetuese vendos ta anulojë atëherë mjetet do t’u kthehen kompanive nga buxheti i vitit të ardhshëm, në të cilin sipas tij ka mjete të mjaftueshme.
“Për vitin e ardhshëm jemi duke bërë projeksione të buxhetit për shkak se kriza është e pashmangshme dhe ende aktive, për këtë do të ketë mjete për masat antikrizë. Nëse eventualisht merret një vendim i tillë nga Gjykata Kushtetuese, mendoj se ka mjete të mjaftueshme të planifikuara në buxhet dhe nëse ka një vendim të tillë, atëherë do të duhet që të merren mjetet nga qytetarët dhe t’u kthehen kompanive.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.
Bytyqi informoi se mjetet nga tatimi solidar do të shfrytëzohen për masat antikrizë, ku ditëve në vijim pritet që të publikohen të njëjtat.
Këto komente, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike i bëri në pjesëmarrjen e promovimit të projektit për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe luftimin e ndryshimeve klimatike në Maqedoninë e Veriut. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
