Kurti: Serbia ose të nënshkruaj ose të pranojë se nuk do Asociacion

03.11.2023 15:58

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka raportuar në Kuvend lidhur me zhvillimet e fundit rreth dialogut. Kurti para deputetëve tha se në dy vite dialog është arritur marrëveshja e Brukselit, e cila është marrëveshje për njohje de-facto nga Serbia.

Sa i përket planit të ri të propozuar nga BE-ja, ai parasheh që statuti i Asociacionit të shikohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës menjëherë pas nënshkrimit. Por, siç tha Kurti, Vuçiqi refuzon ta nënshkruajë marrëveshjen.

“Serbia ose le ta pranojë nënshkrimin ose të pranojë se nuk është e interesuar për një Asociacion, e kjo e fundit duket që është qëndrimi më i ri i Serbisë. Serbia me 26 tetor ka treguar se nuk është e interesuar për Asociacion. Pse është kështu nuk e di, ndoshta për motivet e saj mund të flasin më shumë ata që kanë negociuar në të kaluarën duke i besuar Serbisë, por unë jo. Edhe një herë po e ritheksoj para të gjithë deputetëve e qytetarëve të Republikës, unë jam edhe i gatshëm për nënshkrim edhe i interesuar, por Beogradi nuk  do të nënshkruaj me mua.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti tha se drafti i Asociacionit qartazi nuk është “Zajednicë”, siç e parashihnin marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, sepse asisoj do të ishte e padiskutueshme.

Po ashtu drafti e mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia, që serbëve në Kosovë t’ua projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës, deklaroi kryeministri i Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)