Botë
Stuhia “Kiaran” përfshiu Evropën, evidentohen shumë të vdekur dhe të lënduar
03.11.2023 16:23
Stuhia e fuqishme “Kiaran” goditi Francën veriperëndimore dhe Anglinë jugperëndimore përpara se të përhapej në Holandë....

Stuhia e fuqishme “Kiaran” goditi Francën veriperëndimore dhe Anglinë jugperëndimore përpara se të përhapej në Holandë, Belgjikë, Gjermani, Francë dhe Itali, duke lënë të paktën dymbëdhjetë të vdekur dhe disa të plagosur. Erërat deri në 200 km/h, shiu dhe dallgët deri në 9 metra shkaktuan rrëzimin e pemëve, dëmtimin e shtëpive, rrëshqitjet e tokës, anulimin e fluturimeve dhe trenave, si dhe mbylljen e porteve.
“Gjithçka që kemi ndërtuar në shtëpinë tonë në 50 vitet e fundit është shkatërruar.”, - tha një banore.
“Kishte xhama nga dritaret kudo në dhomë dhe sipër krevatit të foshnjës.”, - u shpreh një banore tjetër.
Në Madrid, një grua 23-vjeçare humbi jetën nga rrëzimi i një peme dhe tre persona të tjerë u plagosën.
“Pema ishte rreth 20 metra e lartë me një peshë prej 2,000-2,500 kg dhe për fat të keq nuk mund të bënim asgjë për të parandaluar katastrofën.”, - tha kreu i departamentit të zjarrfikësve të Madridit, Roberto Moreira Moreno.
Stuhia “Kiaran” goditi pjesën perëndimore të Belgjikës. Brigadat e zjarrfikësve në Bruksel morën mbi 1,000 thirrje për dëme nga stuhia. Në Gent, një pemë ra mbi dy persona që po ecnin në park, duke vrarë njërin. Një person ka humbur jetën edhe në Holandë nga rrëzimi i një peme. Shumë fluturime drejt Hagës dhe Roterdamit janë anuluar për shkak të erërave të forta.
Një shofer kamioni u vra në verilindje të Parisit, kur një pemë ra mbi kamionin e tij. Rreth 1,2 milionë shtëpi në Francë kanë mbetur pa energji elektrike.
“Ka vërtet rrëmuja të mëdha, kemi të bëjmë me një stuhi të fuqishme.”, - theksoi një banor.
“Isha në kuzhinën time me të voglin duke e ushqyer. Stuhia mori pemën dhe çatinë.”, - u shpreh një banore.
Stuhia shkaktoi dëme materiale edhe në Slloveni dhe Kroaci.
FLUTURA LATIFI
