Maqedoni

Debati rreth skandalit në Klinikën e Onkologjisë

03.11.2023 17:17

Komisioni Anketues për skandalin në Klinikën e Onkologjisë sot është dashur të përfundojë me punë...

Komisioni Anketues për skandalin në Klinikën e Onkologjisë sot është dashur të përfundojë me punë, por kryetarja e këtij komisioni, Rashela Mizrahi, ka kërkuar që komisioni të vazhdojë me punë. Komisioni nuk e ka rolin e prokurorisë dhe mandati i komisionit është 30 ditorë, deklaroi deputeti i BDI-së, Arben Ziberi. Në Komisionin Anketues ishin ftuar sot edhe ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, dhe kryeprokurori Joveski, por këta të fundit thanë se nuk mund të flasin për detajet, për shkak se rasti është në procedurë hetimore.  
 
“Dhënia e deklaratave e shumë njerëzve, të cilët janë të përfshirë dhe kanë qenë pjesë e sistemit të punës së Klinikës së Onkologjisë kanë hapur pyetje të reja për ish-ministrin, Venko Filipçe, prandaj vlerësoj se mosprania e tij mund të llogaritet si indikacion për mosgatishmëri të përgjigjet në pyetjet shtesë që lidhen me këtë skandal. Cili ministër duhet të vinte këtu te Komisioni Anketues, nëse jo ministri i Shëndetësisë? Në fund të fundit, nëse nuk ka se çfarë të fshehë dhe nëse është i gatshëm të përgjigjet në pyetjet plotësuese, ne jemi fleksibil dhe mbledhjen e komisionit mund ta caktojmë kurdo që i konvenon, ne kemi kompetencë, kohë dhe gatishmëri politike që ta ftojmë përsëri dhe të përgjigijet në ato pyetje.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski. 
 
“Në përputhje me rregulloren është e saktë se mund t’i ftojmë, por ne nuk jemi prokurori të bëjmë presion nëse dikush duhet të vijë dhe të flasim për këtë. Ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tanimë një herë ishte i pranishëm dhe dha përgjigje. Sa kuptova tani, ai mungon me arsye, pasi ndodhet jashtë vendit dhe ka obligime ndaj shtetit që është mungesë e arsyeshme.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Daniela Markoska. 
 
“Duke e ndjekur punën e këtij trupi dhe më herët në Komisionin për Financa dhe Buxhet, ku isha i ftuar në temën e njëjtë, gjithnjë e më shumë jam i bindur se nuk bëhet fjalë për gabim, por për dalje nga kompetencat nga trupat kuvendore, me qëllim të dëmtimit të procedurës parahetimore që e zhvillon Prokuroria. Prokurori publik as nuk është ekspert e as nuk mund të thirret për të dëshmuar për procedurë aktive penale. Këtë e ndalon Kushtetuta ku qartë ndahet pushteti ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe e garanton pavarësinë e prokurorit publik, si organ kompetent i ndjekjes penale.”, - u shpreh kryeprokurori, Ljubomir Jovevski.
 
“Nëse cilido qoftë qytetar posedon çfarëdo dëshmish, ato dëshmi duhet t’i dorëzojë te Prokuroria Publike dhe në atë mënyrë të ndihmojë hetimet. Gjithsesi nëse ekzistojnë dëshmi dhe nuk i dorëzon te organet kompetente do të thotë fshehje e dëshmive apo nëse ekzistojnë dëshmi dhe i publikon si dokumentacion që ndodhen si pjesë e lëndës, kjo do të thotë komprometim i dëshmive dhe komprometim i tërë procedurës hetimore. Prandaj, unë në këtë moment as që mundem e as që guxoj të paraqes informacione dhe të dhëna se cilat dokumente janë marrë nga ana e MPB-së me urdhër të gjykatës kompetente dhe prokurorisë, lidhur me tërë këtë proces.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. 
 
ERSAN PAJAZITI