Zhegrova, dribluesi më i mirë në Evropë
03.11.2023 17:52
Dribluesi më i mirë në Evropë për lojtarët me moshë mbi 23-vjeçare është Edon Zhegrova...

Dribluesi më i mirë në Evropë për lojtarët me moshë mbi 23-vjeçare është Edon Zhegrova, futbollisti i Lillet,shkruan gazeta spanjolle “Marca”. Këto janë të dhëna nga analizat dhe statistikat që u bëhen lojtarëve nga mediumi i specializuar, “CIES Football Observatory”. Statistikat janë nxjerrë për lojtarët që kanë luajtur të paktën 450 minuta në pesë ligat e mëdha evropiane. Sulmuesi i krahut me sukses ka kompletuar 27 nga 44 driblime që i ka tentuar në elitën e futbollit francez. Kjo nënkupton 61.36 për qind. Futbollisti i Kosovës ka shkëlqyer në vikendin e kaluar në fitoren 2:0 ndaj Monacos.
Golat e shënuar nga Bafode Diakite dhe Ivan Cavaleiro erdhën nga asistimet e përkryera të Zhegrovës. Ai luajti aq mirë saqë edhe Adi Huetter, trajneri i Monacos, u dorëzua para ish-lojtarit të Baselit, që u transferua te Lille në janar të vitit 2022 për 7 milionë euro. “Zhegrova na bëri shumë probleme dhe e ndryshoi lojën. Në 15 minutat para pushimit, ai ishte fantastik. Ai ka të majtë shumë të mirë. Driblon shumë mirë dhe ka veprime të bukura teknike. Edhe pse e di se çfarë ai do të bëjë, është shumë vështirë për t’u përcjellë”, ka theksuar Huetter.
