Maqedoni
Gazifikimi: Vazhdon të mbetet vetëm premtim, shumë institucione ngrohen me mazut apo naftë
04.11.2023 17:35
Spitali gjinekologjik në Çair është ndër të paktat institucione...

Spitali gjinekologjik në Çair është ndër të paktat institucione që ngrohet me gaz.
“Ishte një ndër ndotësit lokal më të mëdhenj, pasi ngrohej me mazut dhe kaldaja e ngrohjes ishte më e vjetër se 60 vite, por nga viti 2020, në spitalin gjinekologjik në Çair është ndryshuar mënyra e ngrohjes, me çka është mundësuar ngrohja me gaz”.
Por të njejtin fat nuk e kanë një numër i madh i institucioneve publike. Sipas një harte të publikuar nga shoqata “Shansë për Qendrën”, mbi 150 institucione publike kanë prokuruar mazut apo vaj ekstra të lehtë për sezonin e ngrohjes. Sipas ambientalistëve kjo ndikon shumë në ndotjen e ajrit.
“Disa ndotës e kanë ndryshuar nxemjen, mirëpo ajo shkon shumë ngadalë. Të themi në vit një apo dy institucione publike të ndryshojnë mënyrën e gazit nuk është ndonjë përparim në përballjen me ndotjen e ajrit që e kemi. Gjithë kohës themi se ajo duhet të bëhet guximshëm dhe me hapa rigoroze. Ne kemi ndotje enorme”, u shpreh Nevena Georgievska nga nisma qytetare O2.
Drejtori i Nomagas, Rexhepi: Së shpejti do të përzgjidhet kompania distributive
Ndonëse kryetarja aktuale e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska gjatë fushatës parazgjedhore pati premtuar kyçje të të gjitha amvisërive në rrjetin e gasifikimit, një gjë e tillë është për momentin e pamundur, pasi në vend ende nuk ka kompani distribuive të gazit.
“Nuk ka rrjet të ndërtuar të distribuimit, unë mendoj se brenda disa muajve të ardhshëm, kjo kompani do të përzgjidhet që do të bëjë distribuimin, do ju duhet sigurisht një kohë që të bëjnë planifikimin, lejet e ndërtimit dhe kështu me rradhe dhe brenda periudhës 2024-2025 do të niset masovikisht të ndërtohet rrjeti i distribuimit jo vetëm në Qytetin e Shkupoit, por edhe më gjërë”, theksoi drejtori i Nomagas, Bajram Rexhepi.
Përveç faktorit ekologjik, gazi sipas Rexhepit shquhet edhe në aspektin ekonomik, pasi do të gjeneronte fatura më të lira të energjisë elektrike për qytetarët. Qytetarët shpehen të interesuar për tu kyçur në rrjetin e gazifikimit në qoftë se ai do të ekzistonte.
“Sigurisht po, edhe më ekologjike, edhe më lirë, më mirë. Pa pluhur pa ndotje, pse jo. Po do ta kisha praktikuar”, u shpreh qytetari.
“Më leht do e kemi nëse kyçemi në rrejt. Është shumë më ekonomike për ne. Edhe shteti ndihmon përmes subvencionimit”, theksoi qytetari.
“Ngrohemi me energji elektrike, faturat e energjisë dihet si janë, aspak të lira. Çdo varian që është më I lirë për neve si student është I pranueshëm, por prap nuk e di se sa përfitim financiar do të kishim”, u shpreh qytetari.
Nga qyteti i Shkupit shkurtimisht thonë se do të jenë të gatshëm t’i fillojnë detyrimet e tyre në lidhje me gasifikimin, pas përfundimit të punëve ndërtimore të pushtetit qendror, kurse paralajmërojnë se këtë sezon do të ketë kontrolle të shtuara ndaj ndotësve të ajrit.
“Për momentin rreth 80-100 objekte që gravitojnë në Qytetin të Shkupit çdo vit janë të kyçura në rrjetin e Nomagas-it, por për të pasur mundësi kyçjeje në gaz edhe amvisëritë dhe të gjitha objektet tjera është e nevojshme që vendi të ketë rrjet të distribuuar të gazit.”
ERSAN PAJAZITI
Me këtë kontribut TVM2 i bashkohet nismës për rritjen e transparencës së institucioneve që Instituti për Studime të Komunikimit zbaton në bashkëpunim me mediat në kuadër të projektit “Përdor faktet”, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike.

