Maqedoni

Vizitat e ndërkombëtarëve në Ballkan, Nuhiu: Siguria, në fokus të axhendave të tyre

05.11.2023 15:50

Vizitat e shpeshtuara të diplomatëve amerikan dhe europian në rajonin e Ballkanit...

Vizitat e shpeshtuara të diplomatëve amerikan dhe europian në rajonin e Ballkanit në fokus kanë aspektin e sigurisë në këtë pjesë të globit. Konflikti në Ukrainë ka ndryshuar axhendat e tyre, vlerëson politologu Qani Nuhiu.
 
Duke bërë një analizë të zhvillimeve ai si kërcënim të sigurisë së rendit e sheh agresionin serb në Veri të Kosovës, më 24 shtator, si dhe shpërthimin e konfliktit luftarak në Lindjen e Afërt. Thotë se konfliktet serioze të armatosura i shkojnë në favor Rusisë, andaj perëndimi është më vigjilent në këtë aspekt.
 
“Ballkani ka disa situata që politikisht prodhojnë jostabilitet politik. Kemi kontestin Serbi – Kosovë, ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, në Bosnje e Hercegovinë, ndryshimi i kursit politik në Mal të Zi, të gjitha këto pra janë situata jostabile politike që nëse mbeten jashtë kujdesit, mund të prodhojnë edhe situata krizash të sigurisë. Për shkak të rrjedhave të luftës Rusi - Ukrainë, në cilindo vend të botës që do të plaste një konflikt serioz i armatosur, Rusisë do t’i shkonte në favor”, u shpreh politologu Qani Nuhiu.
 
Nuhiu: Intgerimi, interes gjeopolitik
 
Por që sipas Nuhiu integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk lihet në rend të dytë, pasi ka rëndësi gjeopolitike për Europën dhe SHBA-të.
 
“Jam më optimist kohët e fundit pasiqë konflikti në Ukrainë gjithçka ka ndryshuar. Evropa përfundimisht pas deklaratave të udhëheqësve dhe deklaratave që dolën nga Samiti i Tiranës del se çështja është më gjeostrategjike. Edhe vetë diplomatët europian, kryesorët, edhe udhëheqësit e pranojnë se është çështje e vonuar, ashtuqë unë mendoj se do të marrë një dinamië të re, do të jetë Europa më tepër e fokusuar, besoj se do të nxiten institucionet vendore që më shpejtë të kryejnë reformat që nevojiten të kryhen dhe e shoh si një process, i cili do të përshpejtohet”, theksoi Nuhiu.
 
Tre javë më parë, Samiti i Procesit të Berlinit për herë të parë u mbajt jashtë BE-së, në Tiranë, ku u mblodhët të gjithë krerët e Unionit. Së fundmi, Maqedoninë e Veriut e vizitoi kryetarja e komisionit Europian Ursula Von Der Lejen.
 
Ajo shtriu vizitën katër ditore edhe në katër shtete të tjera të Ballkanit, Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje. Vizita e Von Der Lejen u pasua me ardhjen e nënkryetaren së Bundestagut gjerman Ajdan Ozoguz me pretendimet zyrtare: përforcim i bashkëpunimit në të mirën e eurointegrimeve.
 
Situata në Ballkanin Perëndimor ishte një prej temave të samitit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që u zhvillua më 20 tetor në Uashington.
    
MERAL ISMAILI