Maqedoni

Mungesa e vendparkimeve në Tetovë, Kasami: Komuna s’ka truall për parking në kate

05.11.2023 17:18

Qyteti i Tetovës vazhdon të përballet me mungesë të vendeve të parkimit edhe përkundër premtimeve të shumta...

Qyteti i Tetovës vazhdon të përballet me mungesë të vendeve të parkimit edhe përkundër premtimeve të shumta se do të ndërtohen parkingje në kate. Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, thotë se nuk është çështje që varet vetëm nga ana e komunës, por bëhet fjalë për hapësira që komuna duhet t`i ketë në dispozicion, që më pas të bëhet plan për ndërtimin e tyre. 
 
“Në këtë rast ne nuk kemi ndonjë hapësirë të lirë të cilën mund ta ofrojmë në partneritet publik privat apo të shohim mundësinë për ndërtimin e parkingjeve në kate. Ende jemi në kërkim të hapësirave të tilla, apo me ndryshimet e planeve urbanistike të kemi hapësira që më pas në variantin e partneritetit publiko –privat ta zhvillojmë një projekt të tillë”, u shpreh kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Kreu i komunës së Tetovës thotë se edhe përkundër problemeve të shumta, dinamika për hapjen  e vendeve të reja të parkingjeve të mbyllura dhe të hapura vazhdon.
 
“E dimë se një e tillë është hapësira para Veros, ku kundër ligjit ka kërkesë për privatizim dhe është e bllokuar dhe nuk mund ta vendosim në procedurë për ndërtimin e garazheve në kate. Një vend tjetër është afër sallës së sportit në qendrën sportive, ku ka ende probleme në procesin e legalizimit. Ende nuk mund të gjejmë zgjidhje ligjore të cilët varen nga komuna e Tetovës”, theksoi Kasmi.
 
Përderisa nuk gjenden hapësira, vozitësit në Tetovë do të vazhdojnë të përballen me mungesën e gjetjes së një vendi për parkim. Kjo situatë më e rëndë është në rrugët kryesore, afër tregut të gjelbër por edhe në pjesë tjera, sidomos afër institucioneve ku në mungesë të vendeve të parkimit, shpesh herë qytetarët parkohen në reshta të dyfishtë duke shkaktuar kaos në qytet.
 
VISAR SADIKI