Botë
Protestuesit bëjnë thirrje për armëpushim: Izraeli, thirrje civilëve që të largohen nga Gaza
05.11.2023 18:24
Banorët e Gazës janë thirrur sërish nga ushtria izraelite që të zhvendosen në jug...

Banorët e Gazës janë thirrur sërish nga ushtria izraelite që të zhvendosen në jug. Hamasi njoftoi se kishte lëshuar një raketë me rreze veprimi prej 250 kilometrash. Shkëmbim zjarri edhe në kufirin me Libanin. Ushtria amerikane tha se kishte vendosur anije shtesë dhe një aeroplanmbajtëse tjetër në Lindjen e Mesme.
“Ne kemi kontrollin në çdo betejë, kemi përparësi ndaj armikut, fitojmë çdo luftë. Ne duam të vazhdojmë dhe të avancojmë në luftën për të shkatërruar Hamasin dhe për të arritur qëllimet e luftës”, u shpreh zëdhënësi i Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari.
Sekretari amerikan i shtetit u takua me presidentin palestinez Abbas në Ramallah. Kjo është vizita e parë e Blinken në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit. Udhëheqësit arabë më parë në Jordani bënë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, pavarësisht paralajmërimeve nga Uashingtoni se një veprim i tillë do të ishte kundërproduktiv dhe mund të nxiste më shumë dhunë nga grupi militant.
“Ne duhet të sigurohemi që lufta të ndalojë dhe të marrim mjaftueshëm ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant në Gaza. Me çdo minutë vonesë, një fëmijë, grua apo plak vdesin sepse nuk kanë akses në këto shërbime bazë”, theksoi zëv/kryeministri i Jordanisë, Ajman Safadi.
Shtetet e Bashkuara besojnë se të gjitha këto përpjekje do të lehtësohen nga pauzat humanitare.
“Ne besojmë se pauzat mund të jenë një mekanizëm kritik për mbrojtjen e civilëve, marrjen e ndihmës, nxjerrjen e shtetasve të huaj, ndërkohë që lejojnë Izraelin të arrijë qëllimin e tij për të mposhtur Hamasin”, u shpreh sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antoni Blinken.
Një zyrtar i Hamasit tha se Sekretari amerikan i Shtetit nuk mund të ndërtojë një koalicion arab që është kundër popullit palestinez.
“Ne e mbajmë administratën amerikane dhe presidentin Bajden plotësisht përgjegjës për këto masakra që po kryhen me dritën jeshile amerikane, me armë amerikane dhe me mbulesë politike amerikane”, theksoi përfaqësuesi i Hamasit në Liban, Osama Hamdan.
Mijëra protestues dolën në rrugët e Tel Avivit, Uashingtonit, Londrës, Berlinit dhe Parisit për të bërë thirrje për një armëpushim në Gaza. Që nga fillimi I luftës në Gaza janë vrarë rretj 10 mijë njerëz, ndërsa janë plagosur mbi 24 mijë. Numri i të vdekurve në Izrael është mbi 1400, ndërsa i të plagosurve mbi 5600.
VLORA LATIFI TOPOJANI
