Maqedoni
Autostrada Kërçovë-Ohër, “Sinohydro” kineze kërkon takim me Kovaçevskin
06.11.2023 11:49
Pas njoftimit të kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, për rishikimin e kontratës me kompaninë kineze “Sinohydro”...

Pas njoftimit të kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, për rishikimin e kontratës me kompaninë kineze “Sinohydro”, e cila ka gati dhjetë vjet që ndërton autostradën Kërçovë-Ohër dhe nuk do të respektojë as afatin shtesë për të përfunduar deri në fund të vitit. Përfaqësuesit e kompanisë kërkuan mbledhje urgjente në Qeveri.
Të premten, kryeministri Kovaçevski njoftoi një rishikim të kontratës për ndërtimin e autostradës për në Ohër dhe shtoi se është e mundur të ndërpritet kontrata, sepse “është e pakuptueshme që edhe pas 10 vitesh, 40-50 kilometra rrugë nuk do të ndërtohet”. Afati për përfundimin e punimeve në terren me “Sinohydro” skadon në Vitin e Ri, ndonëse vetëm 78 për qind e punimeve për 600 milionë euro kanë përfunduar. Për rishikim të marrëveshjes, përveç kryeministrit, paralajmëroi edhe zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi. Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thonë se vendimi nuk do të jetë i tyre, por i Qeverisë, duke pasur parasysh peshën e kontratës. Duket se problemi nuk është te paratë dhe ndoshta jo aq te intensiteti i punës në terren, por te vetë traseja, e cila kalon nëpër dhjetëra rrëshqitje dherash, që e vështirëson punën dhe ministria thotë se llogaritë me kompaninë kineze janë të pastra.
