Botë
Ukrainë, forcat ruse sulmojnë Odesën dhe Khersonin
06.11.2023 13:55
Forcat ruse kanë kryer sulme të koordinuara me drone dhe raketa në Odesa....

Forcat ruse kanë kryer sulme të koordinuara me drone dhe raketa në Odesa. Është goditur qendra e qytetit, disa ndërtesa banimi dhe u shkatërrua galeria e arteve.
“E gjithë kjo ndodhi derisa po futesha në ndërtesë. Unë isha me fëmijën, u përkulëm menjëherë, e kapa dhe ikëm nga vendi. Kudo kishte shumë pluhur dhe xham.”, - deklaroi banorja e Odesës.
"Ka shumë dëme dhe pikërisht tani para dimrit. Situata është e vështirë për shkak të gazsjellësit, i cili është ende nën presion. Situata nuk është nën kontroll.”, - deklaroi udhëheqësi i qarkut ushtarak, Oleh Kiper.
Me projektil antiradar, artileria ruse ka kryer sulme edhe në Kherson, ku është shkatërruar një ndërtesë pesëkatëshe dhe nuk dihet fati i 12 familjeve, shumica të moshuar.
Presidenti ukrainas, Zelenski, ka deklaruar se Rusia po e shfrytëzon situatën në Izrael për të shtuar sulmet në Ukrainë.
“Putini dëshiron të ndajë botën, të largojë vëmendjen nga Ukraina me një luftë tjetër. Edhe kjo nuk do t'u mjaftojë, kam dy vite që e përsëris këtë. Atyre nuk u mjaftoi ajo në Siri. Ata filluan në Ukrainë, pas Ukrainës tani janë në Lindjen e Afërt.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Por, presidenti rus Putin, ka thënë se Rusia e filloi operacionin special ushtarak, sepse sipas tij ishin sulmuar territoret e saj historike.
“E sulmuan Krimenë, pastaj Donbasin, edhe pse për tetë vite u përpoqëm ta zgjidhnim situatën në mënyrë paqësore përmes marrëveshjes së Minskut. Çfarë duhej të bënim, le të na mundonin pafund?”, - u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Megjithëse në gjendje lufte, Ukraina shpreson për anëtarësim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian. Në Samitin e dhjetorit të BE-së, Ukraina pritet të jetë ndër temat kryesore.
GYLTENE SINANI
