Maqedoni
VMRO-BDI, shkëmbim akuzash për retorikë nacionaliste
06.11.2023 14:33
VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja kanë shkëmbyer akuza lidhur me përdorimin e vokabularit nacionalist....

VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja kanë shkëmbyer akuza lidhur me përdorimin e vokabularit nacionalist. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, e quan kërcënim qëndrimin e drejtuesve të VMRO-DPMNE-së, se në qeverinë e ardhshme të drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja nuk do të ketë vend për partinë e Ahmetit.
“Me të vërtet ky lloj i shkaktimit të urrejtjes ndëretnike, e cila bëhet me qëllim që më vonë të shfrytëzohet për përfitime të pikëve politike është shumë e rrezikshme për një demokraci multietnike, siç edhe është vetë Republika e Maqedonisë së Veriut. Ndërsa VMRO-DPMNE-së mundem vetëm t’i them se deri sa është Ali Ahmeti, shqiptarëve nuk do t’ju mungojë as një fije floku, prandaj të gjitha ato kërcënime janë të parëndësishme.”, - deklaroi ministri i punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Ndërsa kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sërish ka thënë se BDI-ja tanimë është në fushatë, prandaj provokimet si ai në muzeun në Sopot, ku është vendosur flamuri i Shqipërisë etnike do të vazhdojnë.
“I ftoj qytetarët të mos bien në provokimet naconaliste të Ali Ahmetit, ta ruajmë arsyen. Për disa muaj prej sot vjen qeveri e fuqishme e VMRO-DPMNE-së dhe tërë kjo do të jetë e kaluar së bashku me këto politikanë. Ata patjetër të mbajnë përgjegjësi për këtë që po e bëjnë.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Mickoski njëherit e kritikoi LSDM-në se kanë pranuar të jenë shërbëtorë të BDI-së.
SANIJE DURAKU
