Maqedoni

Përgatitjet për Samitin e OSBE-së, Osmani: Për të ardhmen e saj, mund të vendoset në Shkup

06.11.2023 14:54

Maqedonia e Veriut në përgatitje e sipër për organizimin e Këshillit ministror vjetor të OSBE-së në Shkup...

Maqedonia e Veriut në përgatitje e sipër për organizimin e Këshillit ministror vjetor të OSBE-së në Shkup, që do të mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor. Edhe pse kanë mbetur vetëm edhe tri javë deri në këtë samit, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nuk ka siguruar akoma konsensus nga anëtarët për ekzistencën e saj. Bëhet përpjekje që në takim të merr pjesë edhe ministri i Jashtëm rus, Llavrov, i cili ka dërguar letër me kërkesë për pjesëmarrjen e tij në Shkup.
 
Ministri Osmani thotë se për prezencën  e tij do të duhet të bëhen përpjekje logjistike, për shkak se hapësira ajrore e vendit është e mbyllur për avionët rus. Prania e vendeve anëtare të OSBE-së është e nevojshme, për arsye se në këtë samit do të vendoset e ardhmja dhe funksionimi i OSBE-së, e që sipas Osmanit, gjasat teorike për ekzistimin e  mëtejmë të saj, janë në pikëpyetje.
 
“Teorikisht ekziston mundësi e tillë, edhe pse nuk besoj se vendet do ta lejojnë një gjë të tillë, sepse OSBE-ja është dëshmuar  si vlerë e shtuar e këtij rajoni botëror. Me 1,3 miliardë njerëz që jetojnë në këtë rajon dhe parimet dhe obligimet e OSBE-së ishin në njëfarë mënyre themele të paqes dhe sigurisë në këtë rajon. Nuk besoj se dikush do të lejojë që OSBE-ja të shuhet me gjithë ato kapacitete dhe kualitete që ka. Shpresoj se do të kemi sukses në ditët në vijim, të gjejmë vend i cili do të fitojë konsensus nga të gjithë 57 vendet. Nëse shteret ai variant, të mos mund ta sigurojmë, atëherë RMV-ja edhe përskaj të gjitha vështirësive që ka, nuk do të lejojë që organizata të mbetet pa udhëheqës.”, - deklaroi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani. 
 
Vlerësohet se Këshilli Ministror vjetor i OSBE-së, që do të mbledh 76 delegacione dhe mbi 1,000 pjesëmarrës, do t’i kushtojë vendit diku 5 milionë euro, ndërkaq për organizim janë angazhuar mbi 200 persona të MPJ-së. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU