Maqedoni

Ndotet burimi i Leshnicës, Tetova me sasi të pamjaftueshme uji

06.11.2023 15:15

Tetovarët do të kenë mungesë të ujit, për shkak të ndërprerjes së furnizimit nga burimet e Leshnicës...

Tetovarët do të kenë mungesë të ujit, për shkak të ndërprerjes së furnizimit nga burimet e Leshnicës, ka bërë të ditur sot Lulzim Shaqiri nga NPK-Tetovë. Sipas Shaqirit, ndërprerja vjen si pasojë e ndotjes së ujit nga të reshurat e shiut. Ndërsa qyteti për momentin furnizohet vetëm nga burimet e vjetra që janë të pamjaftueshme.
 
“Në situata ku rritet niveli trumbullirës, turbitimenti e nxjerr nga sistemi, nuk lejon futjen në rezervarët e Leshnicës për furnizim të qytetit, për arsye se kalon pragun ligjor dhe rregulloren për furnizim për ujë të pijshëm, të qytetarëve që është deri më dy. Për momentin niveli i ndotjes është 14 dhe është jashtë normales afërsisht dhjetë herë. Jemi të obliguar ta ndërpresim sistemin e Leshnicës dhe do të furnizohemi vetëm nga burimet e vjetra, të cilat në këtë kohë janë shumë pak dhe prurjet janë shumë të vogla.”, - theksoi Lulzim Shaqiri nga NPK-Tetovë.
 
Mungesën e ujit do ta ndjejnë më shumë pjesa periferike e qytetit, por ujë të mjaftueshëm nuk do ketë edhe qyteti, thotë Shaqiri, që sipas tij për momentin kemi 140 litra ujë në sekondë mungesë.
 
“Kemi mungesë diku 140 litra në sekondë, me daljen e sistemit të Leshnicës dhe i humbim 140 litra sekondë. Ato 140 litra në sekondë është sasi që neve na mungon. Për momentin kemi 220 litra. Më tepër do e pësojnë pjesët periferike të qytetit, edhe pse ato do të mbushin depozitat e tyre, por edhe qyteti do ta pësojë realisht.”, - u shpreh Lulzim Shaqiri nga NPK-Tetovë. 
 
Shaqiri thotë se nuk do të ketë restriksion të ujit, por do ketë mungesë për të gjithë. Sipas tij, sasi të mëdha të ujit në Tetovë humbin për shkak të rrjetit të vjetër të ujësjellësit.
 
VISAR SADIKU