Struga fiton kryendeshjen e javës me Shkëndijën

06.11.2023 15:21

Kryendeshja e javës të 13-të të elitës së futbollit vendor ishte ajo mes kampionëve në fuqi, Struga TL dhe Shkëndijës...

Kryendeshja e javës të 13-të të elitës së futbollit vendor ishte ajo mes kampionëve në fuqi, Struga TL dhe Shkëndijës. Dueli ka qenë mjaft i rëndësishëm pasi të dy ekipet nuk donin që të humbnin kontaktin me Shkupin kryesues. Pjesa e parë e takimit u mbyll në barazim pa gola ndërsa miqtë nga Tetova “u rënduan” me tri kartonë të verdhë. Në fraksionin e dytë Shkëndija kaloi në avantazh me Krasniqin, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë duke shënuar gol në të 54’. 
 
Tetë minuta më vonë  duket se nisi  krejtësisht një ndeshje tjetër pasi mysafir mbeti me një lojtar më pak në fushë. Çinari mori kartonin e dytë të verdhë dukë braktisur fushën e lojës përpara kohe. Ekipi lieqenas arriti që të përfitonte në maksimum nga epërsia numerike në fushë duke shënuar dy herë me Kompaore (73’) dhe Redeskin (75’). Deri në fund të ndeshjes referi kryesor nxorri plot 14 herë kartonin e verdhë. Struga me tri pikët e fituara arriti që të kalojë në renditje Shkëndijën duke i marrë vendin e dytë dhe të afrohet me ekipin e Shkupit, i cili ka vetëm një pikë më shumë.