Maqedoni
Konferencë shkencore në UNT, “Realizimi i zhvillimit të qëndrueshëm në RMV”
06.11.2023 15:32
Varfëria dhe lufta kundër urisë, arsimi, barazia gjinore, uji, kanalizimet dhe zhvillimi ekonomik ishin disa nga çështjet...

Varfëria dhe lufta kundër urisë, arsimi, barazia gjinore, uji, kanalizimet dhe zhvillimi ekonomik ishin disa nga çështjet, të cilat u diskutuan në konferencën shkencore për realizimin e zhvillimit të qëndrueshëm në RMV, të organizuar nga ana e Universitetit “Nënë Tereza”. Vendi nuk mund të hapërojë drejt integrimit në Unionin Evropian dhe të sigurojë zhvillim pa zgjidhjen e këtyre problemeve, u tha në konferencë.
“Ne kemi një situatë ku kemi 21,8% apo afër 490 mijë të varfër në Maqedoni edhe pse kemi një indeks 5,1, i cili është i ulët si indeks. Ne nuk duhet të kemi uri në këtë vend, pasi ne kemi edhe tepricë edhe të ushqimit. Çështja tjetër është arsimi, posaçërisht inkluzioni i të gjithëve në arsim dhe arsimi i përjetshëm. Këtu përpjekjet tona duhet të jenë që të krijohen kushte të gjithë fëmijët posaçërisht djemtë dhe vajzat të kenë shkollim fillor. Në vendin tonë vetëm në katër komuna kemi diku 1,100 nxënës, të cilët fare nuk janë të regjistruar në shkolla.”, - deklaroi rektori i UNT-së, Izet Zeqiri.
“Tema e kongresit dhe konferenca është për zhvillimin e qëndrueshëm. Cilët janë mundësitë dhe resurset që mund t’i bashkojmë si rajon, jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë ku ne kemi punime prej 15 shteteve të ndryshme dhe mbi 200 pjesëmarrës si ko-autorë dhe gjithë këto ideja dhe resurse të mundshme që mund t’i bashkojmë në rajon, të krijojmë një zhvillim të qëndrueshëm në fusha të ndryshme si ekonomi, informatikë, ekologji dhe teknologji, teknikë etj.”, - theksoi profesori universitar, Bekim Fetai.
I pyetur për mungesën e kuadrit adekuat, që i nevojitet tregut të punës, rektori i UNT-së, Izet Zeqiri, për TVM2 tha se nevojiten reforma në arsimin e lartë duke ofruar edhe edukime 3 vjeçare për profilizimin e kuadrove.
“Kemi një situatë paradoksale në Maqedoni, ku ne kemi diku rreth 110 mijë të papunë, të cilët kërkojnë punë, ndërsa në anën tjetër kemi diku 7,900 vende të lira të punës, të cilat kompanitë, institucionet, bizneset nuk arrijnë të gjejnë punëtorë. Është shumë me rëndësi reforma në sistemin e arsimit të lartë. Të ofrohen studime, edukime më të shkurta se 3 vite me të cilën do të përgatitën këto kuadro që të profilizohen në drejtimet ku kanë nevojë.”, - u shpreh rektori i UNT-së, Izet Zeqiri.
Zeqiri shtoi se në nivel global në bazë të zhvillimit të qëndrueshëm është paraparë që shtetet të kenë rritje 7%, kurse vendi rritje prej 1,5% me një inflacion prej 9,2 %.
GAZMEND KURTISHI
