Botë
Konflikti ushtarak Izrael-Palestinë, armata e Izraelit përparon thellë në Gazë
06.11.2023 15:53
Ushtria izraelite tha se po përparonte thellë në Gaza në veri dhe ka zënë pozicione përgjatë bregut...

Ushtria izraelite tha se po përparonte thellë në Gaza në veri dhe ka zënë pozicione përgjatë bregut, duke e ndarë rripin e Gazës në veri dhe jug. Sipas ushtrisë izraelite, gjatë natës u goditën 450 objektiva të Hamasit.
“Forcat e Mbrojtjes izraelite sulmuan objektivat terroriste të Hezbollahut në Libanin jugor, si përgjigje ndaj zjarrit antitank që vrau një civil izraelit. Luftëtarët e mbrojtjes ajrore kapën një avion të pilotuar nga distanca që Hezbollahu u përpoq të fluturonte në territorin tonë.”, - deklaroi zëdhënës i forcave të mbrojtjes izraelite, Daniel Hagari.
Komanda Qendrore e ShBA-së tha se një grup transportuesish të Ajzenhauer dhe një nëndetëse raketore amerikane e klasës Ohajo me projektile ka mbërritur në Lindjen e Mesme. Ndërkohë Irani dhe Iraku kanë bërë sërish thirrje për t'i dhënë fund sulmeve.
“Amerikanët vendosën veto ndaj rezolutave të propozuara në Këshillin e Sigurimit dhe në praktikë po i lënë duart e lira regjimit sionist për të kryer vrasjet. Ne fajësojmë Amerikën dhe vendet e tjera që mbështesin regjimin cionist për krime. Ne i konsiderojmë ata si bashkëpunëtorë.”, - theksoi kryetari i Iranit, Ebrahim Raisi.
“Ata që duan që konflikti të kufizohet dhe të mos përhapet në të gjithë rajonin, duhet të bëjnë presion mbi regjimin sionist për të ndaluar agresionin e tij ushtarak.”, - u shpreh kryeministri i Irakut, Muhamed Shia Al-Sudani.
Izraeli deri më tani ka hedhur poshtë sugjerimet e ShBA-së për një pauzë në luftimet për të lehtësuar dërgimin e ndihmës humanitare dhe thirrjet për një armëpushim më të gjerë nga vendet arabe gjithnjë e më të shqetësuara. Sekretari amerikan i shtetit, Blinken, nga Lindja e Mesme ka arritur në Turqi. Paraprakisht ai diskutoi situatën në Gaza me kryeministrin e Irakut në Bagdad dhe këtë fundjavë ai u takua gjithashtu me liderët arabë dhe presidentin palestinez, Abas.
“Ne po punojmë shumë për të siguruar që konflikti në Gaza të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet diku tjetër. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe urgjente e diplomacisë amerikane dhe kjo është ajo me të cilën jemi angazhuar gjatë këtij udhëtimi.”, - deklaroi sekretari shtetëror i ShBA-së, Antoni Blinken.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shpreh shqetësimin për viktimat civile dhe ndërprerjen e komunikimeve në Gaza. Numri i vendeve që tërheqin përfaqësues nga Izraeli po rritet. Pas Turqisë, Hondurasi, Kili, Kolumbia dhe Jordania edhe Çadi tërhoqën ambasadorët nga Tel Avivi.
FLUTURA LATIFI
