Botë
Tiranë, deputetët e Berishës futen në Kuvend nga dritarja
06.11.2023 16:28
Skenari i dhunës në komisione nga deputetët e Berishës, këtë të hënë u frenua nga Garda e Republikës...

Skenari i dhunës në komisione nga deputetët e Berishës, këtë të hënë u frenua nga Garda e Republikës, që nuk lejoi disa deputetë të përjashtuar të hynin në ambientet e kryesisë së Kuvendit.
Flamur Noka, i përjashtuar, fillimisht ka kapërcyer kangjellat, por garda e nxori jashtë. Më pas një sjellje e pazakontë vjen nga ligjvënësit opozitarë, të cilët ngjiten mbi kondicionerë dhe hyjnë nga dritaret duke u ndihmuar nga kolegët brenda.
Deputeti Gazment Bardhi paralajmëroi se do të ketë një tjetër kallëzim penal ndaj kryetares së Kuvendit.
“Ky është shpërdorim i pastër detyre, që do t’i bashkëngjitet kallëzimit penal për Lindita Nikollën.”, - u shpreh Gazment Bardhi.
Për shkak të situatës kaotike, mazhoranca vendosi që punimet e komisioneve kuvendore t’i zhvillojë online.
Këto tensione vijnë në të njëjtën ditë që ish-kryeministri, Sali Berisha, duhet të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme SPAK, lidhur me akuza për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”. Ai nuk pranoi të paraqitej për të dëshmuar, ndërsa pritet të vendoset një masë më e ashpër sigurie, bazuar në kodin e procedurës penale.
LULJETA NDOKA
