Maqedoni

Presioni politik mbi gjyqësorin, Ademi s'i përgjigjet thirrjes së Këshillit Gjyqësor

06.11.2023 17:14

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, nuk iu përgjigj thirrjes nga Këshilli Gjyqësor...

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, nuk iu përgjigj thirrjes nga Këshilli Gjyqësor, për të raportuar lidhur me qëndrimet e saja publike për presionet dhe ndikimet politike mbi gjyqësorin. Sipas saj, për ndikimet dhe presionet politike në gjyqësi, nuk flitet vetëm në shkrimet mediatike, por edhe në raportet relevante ndërkombëtare. Presione dhe ndikime joadekuate janë evidentuar edhe në anketën e fundit të OSBE-së. Për presione përmes deklaratve konkrete dhe për ngjarje konkrete, siç thotë, treguan edhe anëtarë, por edhe ish-kryetar të Këshillit Gjyqësor të RMV-së.
 
“Konstatimet në raporte janë të vazhdueshme dhe jashtëzakonisht serioze. Njëherit, Komisioni Evropian në raportin e fundit theksoi se është me rëndësi të sigurohet që gjyqësia të jetë e mbrojtur nga çfarëdo lloj rreziku të përzierjes joadekuate nga jashtë. Presionet politike dhe ndikimet janë cekur edhe në Raportin e Pribesë. Departamenti amerikan i Shtetit noton se rastet e presionit joadekuat politik ndaj gjykatësve vazhduan ta pengojnë efikasitetin dhe të ndikojnë në besimin e opinionit në sundimin e së drejtës.”, tha Ademi.  
 
Këshilli Gjyqësor: Të paraqiten ndikimet dhe presionet
 
Shkas për biseda, sipas saj, do të ketë pas marrjes së raporteve të Bashkimit Evropian dhe të Komisionit vlerësues për punën e Këshillit Gjyqësor, ku do të hapen çështjet thelbësore për problemet në gjyqësi, por edhe do të jepet udhërrëfyes i qartë për hapat të cilat duhet të ndërmerren më tej, potencon Ademi në kumtesë. Nga Këshilli Gjyqësor deklarojnë se ata funksionojnë për t’i mbrojtur gjykatësit, prandaj kanë kërkuar të bisedojmë me kryetaren e Gjykatës Supreme, Besa Ademi. Bëri thirrje që çdo lloj presioni të paraqitet.
 
“Sipas ligjit, për çfarëdo lloj ndikime apo presione .Siç thashë ajo është vepër penale nga neni 375 i Kodit Penal, që do të thotë se menjëherë do ta lajmërojmë Prokurorinë Publike, do ta informojmë opinionin dhe do të qëndrojmë në mbrojtje të gjykatësve, konkretisht gjykatëses, pa asnjë dilemë. Absolutisht është i ndaluar çfarëdo lloj ndikimi.”, - theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sasho Georgiev.
 
BE-ja disa herë ka potencuar nevojën për reforma në gjyqësor, por edhe për atë se pushteti ekzekutiv nuk duhet të ndërhyjë në punën e pushtetit gjyqësor.
 
FLORIJE KAMBERI