Botë
Von Der Lejen me propozim për bisedime paqeje Izrael-Gazë
07.11.2023 08:48
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von Der Lejen, paraqiti planin për bisedime të mundshme paqeje mes Izraelit dhe Rripit të Gazës...

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von Der Lejen, paraqiti planin për bisedime të mundshme paqeje mes Izraelit dhe Rripit të Gazës. Ajo shtoi se duhet ndërmarrë çfarëdolloj përpjekje të mundshme për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme mbi bazën e dy shteteve, që të ekzistojnë në paqe e siguri krah njëri-tjetrit. Për këtë nevojiten pesë parime themelore.
Si një parim të parë themelor të mundshëm ajo përmendi një dakordësim, që Rripi i Gazës të mos mund t’u ofrojë strehë terroristëve. Së dyti, sipas mendimit të presidentes së Komisionit të BE-së, “mund të bihet dakord, që të ketë vetëm një autoritet palestinez dhe vetëm një shtet palestinez. Së treti nuk mund të ketë prani afatgjatë sigurie izraelite në Gazë”, tha më tej Von Der Lejen.
Brezi bregdetar është një pjesë substanciale e shtetit të ardhshëm palestinez. Së katërti nuk duhet të ketë dëbime të dhunshme të palestinezëve nga Rripi i Gazës, sepse kjo vetëm sa mund të krijojë më shumë destabilitet në rajon. BE-ja ka vënë në dispozicion edhe 25 milionë euro të tjera si ndihmë humanitare për civilët në Rripin e Gazës. Sipas të dhënave të presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula Von Der Lejen, premtimet për ndihma aktualisht arrijnë një volum gjithsej rreth 100 milionë euro. Gjithashtu po punohet, që të rritet numri i autokolonave me ndihma dhe për të mundësuar transportin edhe me anije.
