Maqedoni
Pacientët me diabet ankohen për mungesë të shiritave
07.11.2023 13:42
Ministria e Shëndetësisë akoma pa përgjigje për mungesën e ilaçeve të nevojshme për personat që vuajnë nga diabeti...

Ministria e Shëndetësisë akoma pa përgjigje për mungesën e ilaçeve të nevojshme për personat që vuajnë nga diabeti. Mungesa e shiritave, glukometrave dhe furnizimeve të tjera thelbësore shton sfidat me të cilat përballen individët që menaxhojnë diabetin, duke kompromentuar më tej mirëqenien e tyre. Ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se fëmijët me diabet janë gjithashtu në pritje të sendorëve, që duket se nuk i arrijnë dot, pavarësisht premtimit nga autoritetet për shpërndarjen e tyre.
Pacientët me sëmundjen e diabetit presin 11 muaj që të furnizohen me shirita dhe glukometra. Ata thonë se mosmatja e sheqerit në gjak u shkakton komplikime serioze shëndetit të tyre.
“Shirita nuk ka, ja tërë vitin po i blejmë privat dhe kushtojnë 750 denarë, nuk është aspak e lehtë për neve. Disa lloje të insulinës janë, por jo të gjitha, na premtuan, tash presim të rregullohet ky problem sa më shpejtë.”, - u shpreh një qytetar.
“Ministri na premtoi se për një javë do të na sigurojë shiritat dhe gleukometrat, por ende nuk ka, duhet të na tregojnë sigurt kur do të mund t’i marrim, sepse ka njerëz që kanë me të vërtetë nevojë, bashkëshorti im është me sulm në tru dhe i verbër. Presim ministri të na e zgjidh disi këtë problem.”, - u shpreh një qytetare.
“Normal, se pastaj ato persona kanë probleme shëndetësore.”, - tha një qytetar.
“Po pyesim çdo ditë, por nuk ka shirita. Ministri Mexhiti tha që për një javë do t’i kemi shiritat në barnatore.”, - tha një qytetar tjetër.
“Ministria e Shëndetësisë, ministritë e tjera janë katastrofë. Nuk ka asgjë në rregull, pastaj kërkojmë të shkojmë në Evropë, s’ka Evropë!”, - theksoi një qytetar.
“Pacientët nuk trajtohen si njerëz, nuk është në rregull, duhet të dënohen këto punë.”, - theksoi një qytetar tjetër.
“Nuk më duket normale kjo, s’ka rend, s’ka mjek.”, - u shpreh një qytetar.
Në vend, 44 mijë persona vuajnë nga diabeti, nga të cilët 600 janë fëmijë nën 18 vjeç.
VLORA LATIFI TOPOJANI
