Maqedoni
Pensionistët protestojnë, kërkojnë rritje të pensioneve
07.11.2023 14:04
Rritje lineare të pensioneve për 5,000 denarë, si dhe pension minimal prej 20,000 denarëve kërkuan pensionistët...

Rritje lineare të pensioneve për 5,000 denarë, si dhe pension minimal prej 20,000 denarëve kërkuan pensionistët nga mbarë vendi në protestën që nisi para Ambasadës Amerikane në Shkup. Me pankarta në duar theksuan se derisa ka para në buxhet për rritjen e pagave të zyrtarëve me 78%, atëherë duhet të ketë edhe para për të përmbushur kërkesat e tyre.
“Kishim takim me Bashkimin Evropian, me z.Gir, kishim takim me OSBE-në, të cilët të gjitha kërkesat tona i dërguan në Bruksel. Shpresojmë në mbështetjen e tyre.”, - tha një pensioniste.
“Na dhanë 5,3 edhe pse kishin premtuar diçka më shumë. Çka mund të jetë përqindja si 5,3 për pensione kaq të vogla?”, - u shpreh një pensionist.
“Në këtë sistem ne pensionistët mbetëm më të anashkaluarit dhe më të dëmtuarit. Të qajmë çdo ditë dhe të ankohemi e nënçmohemi çdo ditë është turp.”, - u shpreh një pensionist tjetër.
Nga Ambasada e Amerikës në Shkup pensionistët vazhduan protestën para Qeverisë. Në shtator, pensionet u rritën për 5,3 për qind, ndërsa pensioni minimal aktualisht është 13,200 denarë. Ndryshe, qëndrimi i MPPS-së është që sipas ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor, nuk ka bazë për rregullim linear të pensioneve dhe se pensionet rriten sipas metodologjisë së vendosur me një model të kombinuar prej 50 për qind rritje të pagës mesatare dhe rritje prej 50 për qind të rritjes së kostos së jetesës.
LEUNORA KALIQI
