Botë

Një muaj konflikt mes Izraelit dhe Palestinës, mbi 10,000 palestinezë të vrarë dhe mbi 1,500 izraelitë

07.11.2023 14:26

Pas një muaj luftime, vazhdojnë bombardimet izraelite në të gjithë Gazën....

Pas një muaj luftime, vazhdojnë bombardimet izraelite në të gjithë Gazën. Të paktën 16 civilë janë vrarë gjatë natës në një sulm në Rafa, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur nën rrënoja. Sulmi ajror kishte goditur një kompleks banimi në kampin e refugjatëve al-Shabura. Forcat izraelite kanë sulmuar edhe kampin e refugjatëve, Jenin, në Bregun Perëndimor të pushtuar. Konfrontimet kanë vazhduar edhe në kampin e refugjatëve Tulkarm, ku jetën e kanë humbur 9 persona. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, thotë se nëse Hamasi nuk mposhtet, lufta do të përshkallëzojë në Lindjen e Mesme, por edhe në të gjithë botën.
 
“Ata kërkojnë të kthejnë Lindjen e Mesme dhe botën në një epokë të errët. Ata kërkojnë të prishin çdo përparim drejt paqes, duan të thyejnë premtimin që kishim në traktatet tona të paqes me fqinjët tanë arabë. Nëse triumfojnë, nëse nuk mposhten, ata do ta prishin procesin e paqes, do të rrezikojnë të gjithë Lindjen e Mesme. Nëse Lindja e Mesme bie në boshtin e terrorit, Evropa do të pasojë dhe askush nuk do të jetë i sigurt. Nuk është një betejë lokale, kjo është një betejë globale, nevoja kryesore është të mposhtet ky bosht.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, thotë se Gaza po “bëhet një varrezë fëmijësh”, përderisa ai përsërit kërkesat për armëpushim, që situata mos të përshkallëzohet.
 
“Gaza po bëhet një varrezë për fëmijët. Qindra civilë vriten çdo ditë. Për katër javë konflikt janë vrarë më shumë gazetarë, sesa në çdo konflikt në të paktën tre dekada. Janë vrarë më shumë punonjës të OKB-së se kudo. Katastrofa e shpalosur e bën nevojën për një armëpushim urgjent humanitar. Duhet menjëherë të ndalohen vuajtjet kolektive çnjerëzore dhe të zgjerohet në mënyrë dramatike ndihma humanitare për Gazën. Le të mos harrojmë gjithashtu rëndësinë e adresimit të rreziqeve të përhapjes së konfliktit në rajonin më të gjerë. Ky përshkallëzim duhet të ndalet.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
 
Ndërkohë në shumë vende të botës mbahen protesta kundër vrasjes së civilëve në Gaza. Protestuesit kërkojnë t’i jepet fund konfliktit dhe të vendoset paqe. Më shumë se 10,000 njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i konfliktit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ndërsa nga pala izraelite kanë vdekur mbi 1,500 persona.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU