Maqedoni

Kodi Zgjedhor, grupi i punës miratoi rekomandimet e OSBE-ODIHR-it

07.11.2023 14:46

Grupi i punës pranë Ministrisë së Drejtësisë ka miratuar propozim ndryshimet që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor....

Grupi i punës pranë Ministrisë së Drejtësisë ka miratuar propozim ndryshimet që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor të rekomanduara nga OSBE-ODIHR. Kryetari i këtij grupi, Aleksandar Novakovski, informoi se ndryshimet kanë të bëjnë me financimin e partive politike, reklamimin në media, si dhe mbrojtjen e të drejtës së votës. Ai njëherit theksoi se pjesë e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it është edhe përgatitja e një Kodi të ri Zgjedhor, pasi që ky i fundit ka pësuar shumë ndryshime.

Sa i përket financimit të partive politike, në dispozicion mbetën dy propozime të cilat do t’i shqyrtojnë dhe vendosin Komisionet në Kuvend.
 
“Njëra nga risitë është se do të ketë dy propozime. Është propozimi i njërit grup të punës nga një institucion dhe ku nuk ka reklamë të paguar politike. Propozimi tjetër është të ngelet pagesa e reklamimit politik, por vetëm në përqindje të balancohet. Këto do të dërgohen si dy propozime, sepse grupi i punës kështu ka vendosur, që të mos ketë nen pas neni që nëse miratohet të mbivotohet. Pra e lëmë që kjo çështje dhe një herë të shqyrtohet nga Komisionet në Kuvend dhe atje të miratohet vendimi.”, - deklaroi kryetari i grupit të punës, Aleksandar Novakovski.
 
Mungesa e partisë më të madhe maqedonase, VMRO-DPMNE, në grupet e punës nuk nënkupton se s'do ketë konsensus politik në miratimin e Kodit Zgjedhor, vlerëson zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq. Thekson se mes miratimit të Kodit Zgjedhor dhe mbajtjes së zgjedhjeve ka interval të mjaftueshëm kohor.
 
“Ka kohë të mjaftueshme që të miratohet para shpalljes së zgjedhjeve, sepse nuk bëhet fjalë për ndryshime të mëdha thelbësore që pjesëmarrësit në procesin zgjedhor të mos munden t’i zbatojnë. Komisioni shtetëror zgjedhor shumë shpejt do të mund t’i implementojë këto ndryshime, pasi vetëm janë rekomandime nga OSBE-ODIHR-i për përmirësimin e disa proceseve zgjedhore.”, - theksoi zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq.
 
Në grupin e punës, i cili i miratoi propozim-ndryshimet, kanë qenë të përfshira të gjitha institucionet përgjegjëse për realizimin e procesit zgjedhor.
 
FLORIJE KAMBERI