Botë
Lajçak në Prishtinë njoftoi liderët opozitarë me Draftin e Asociacionit, Haradinaj: E kam lexuar Draftin e Asociacionit
07.11.2023 15:04
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak...

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me liderët e partive opozitare, të cilët i ka njoftuar me rrjedhën e dialogut, përfshirë draftin e Asociacionit. Por, përderisa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ka pasur mundësi ta lexoj draftin, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Aziri, thanë se nuk e kanë parë draftin, por vetëm u është thënë se ai është në përputhje me Kushtetutën.
“E kemi lexuar Draftin në tërësi, Drafti shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni u jep komunave me shumicë serbe, kuptohet çdoherë i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.”, - deklaroi Ramush Haradinaj nga AAK-ja.
Krasniqi dhe Aziri: Nuk e kemi lexuar tekstin integral të Asociacionit
“Në terme të përgjithësuara tregon qëndrimin e shteteve të BE-së dhe përfaqësuesve të tjerë, që Drafti i Asociacionit, që i është propozuar Qeverisë është një draft në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk shkon përtej vijave të kuqe, por fatkeqësisht ne nuk patëm mundësi që ta konsultojmë tekstin integral.”, - theksoi Memli Krasniqi nga PDK-ja.
“Po vazhdojmë të mbahemi në një formë apo tjetër në terr të moszbardhjes së dokumentit, mosbërjes transparent së paku në parime dhe në angazhim apo orientime, që duhet kryeministri i Republikës si kryenegociator t’ia ofrojë deputetëve në çfarëdo forme edhe popullit të Kosovës. Sidoqoftë unë konfirmova qëndrimin e LDK-së se dialogu nuk ka opsion.”, - u shpreh Lutfi Aziri nga LDK-ja.
Lajçak, këto takime i ka quajtur produktive dhe me shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në dialog.
“Sot pata një ditë shumë produktive në Kosovë me shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara. Falënderoj të gjithë bashkëbiseduesit e mi për rolin dhe mbështetjen e tyre aktive.”, shkroi Lajçak në rrjetet sociale.
Ai mbrëmë pati një darkë pune me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, me të cilin ka diskutuar rreth të gjitha aspekteve të ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
“Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
GYLTENE SINANI
