Botë
Nga pranvera e ardhshme, Shëngjini - një qendër pritjeje për refugjatët
07.11.2023 15:23
Duke filluar nga pranvera e ardhshme, Porti i Shëngjinit do të shndërrohet në një qendër pritjeje për refugjatët....

Duke filluar nga pranvera e ardhshme, Porti i Shëngjinit do të shndërrohet në një qendër pritjeje për refugjatët azilkërkues në Itali. Protokolli i bashkëpunimit mes Qeverisë shqiptare dhe asaj italiane u nënshkrua nga kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni.
“Shqipëria do t’i japë Italisë mundësinë për të përdorur disa zona të territorit. Italia do të financojë dy struktura qendra për të menaxhuar emigrantët e paligjshëm. Këto struktura fillimisht do të presin deri në 3 mijë persona që do të qëndrojnë aty kohën e nevojshme për të shqyrtuar kërkesat për azil. Fluksi vjetor mund të arrijë deri në 36 mijë persona, por jo në të njëjtën kohë. Pra, 3,000 në muaj. Këtu nuk përfshihen të miturit, gratë shtatzëna dhe grupet e tjera vulnerable.”, - deklaroi kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
Dy strukturat në territor shqiptar do të kenë juridiksion italian dhe të gjitha shpenzimet do të jenë të Italisë, ndërsa Shqipëria do të kontribuojë vetëm me sigurinë.
“Në Portin e Shëngjinit do të jetë qendra e pritjes ku do të realizohet skrining, ndërsa në një zonë tjetër në brendësi do të realizohet një strukturë tjetër për procedurat e tjera. Shqipëria do të merret me kontrollin, observimin, me forcat e saja të policisë.”, - theksoi kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
Rama tha se marrëveshja vjen për shkak të lidhjes së veçantë që Shqipëria ka me Italinë.
“Ne nuk do ta bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër apo shtet të BE-së, me gjithë respektin, por ka një lidhje mes Shqipërisë e Italisë dhe shqiptarët e italianët. Nuk besoj që do të jemi në gjendje që në vitet që do të vijnë, të paguajmë borxhin që kemi drejt Italisë popullit dhe institucioneve të Italisë për atë që kanë bërë për ne nga dita që kemi arritur në këtë anë të bregut të detit për të gjetur mbështetje.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Të dy kryeministrat thanë se marrëveshja synon të parandalojë emigracionin e paligjshëm dhe të presë vetëm ata që kanë vërtetë të drejtën e mbrojtjes. Procedurat për azilkërkuesit do të zgjasin 28 ditë. Mediat italiane e kanë quajtur një marrëveshje monstruoze, ndërsa BE-ja thotë se tashmë i ka kërkuar Romës zyrtare detaje për marrëveshjen.
LULJETA NDOKA
