Trajneri Silvinjo: Nuk është mbyllur ende asgjë

07.11.2023 15:26

Kombëtarja shqiptare e futbollit...

Kombëtarja shqiptare e futbollit është në prag të një kualifikimi historik në finalet e një Kampionati Europian. Kanë mbetur edhe dy finale drejt ëndrrës ‘Gjermani 2024’, ndaj Moldavisë më 17 nëntor dhe Ishujve Faroe më 20 nëntor.

Kjo do të ishte hera e dytë që Shqipëria do të merrte pjesë në një Kampionat Europian, pas kualifikimit në ‘France 2016’.

Protagonisti i këtij suksesi është pa dyshim trajneri i Shqipërisë, Silvinjo. Tekniku brazilian ka rrëfyer në një intervistë për emisionin ‘Real Story’ në ABC News, të Sokol Ballës se cili është suksesi i kësaj Kombëtareje.

Nga hera e parë që ka dëgjuar për Shqipërinë, tek oferta e FSHF-së, marrëdhëniet e shkëlqyera me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka dhe lojtarët e Kombëtares, strategjia që përdor dhe 2 finalet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe – Silvinjo flet pa doreza.

Çelësi i suksesit i Kombëtares – Futbolli ka nevojë për kohë. Kemi një miks lojtarësh të rinj por edhe me eksperiencë që janë të fortë. Më pas kemi nisur një punë për të krijuar shpirtin e duhur të skuadrës. Futbolli është kompleks, nuk është individual këtë e dimë, është një sport kolektiv, dhe pa shpirtin e skuadrës nuk shkohet askund. Kemi nisur punë dhe të gjithë futbollistët e kuptojnë menjëherë këtë, i kemi dhënë sensin e ekuilibrit dhe organizimit një skuadre dhe bashkë më të rritet edhe niveli kjo tregohet edhe në fushën e lojës. Është e vetmja formë që mund të gjendet për të krijuar një skuadër të fortë në fushë. Ne kemi 23-25 futbollistë që japin gjithçka dhe kjo shihet në fushë.

Nga humbja në Poloni, te fitorja me Çekinë. Si po ia del Shqipëria? – Merita është e lojtarëve. Ata e kuptuan menjëherë se kishin një mundësi shumë të mirë për të bërë gjëra të mëdha për të çuar përpara, nëse jemi bashkë, nëse jemi një. Ne e morëm ekipin në janar, pas një muaji e gjysmë duke udhëtuar, duke u takuar më lojëtarët për t’u njohur. Kemi shkuar në Poloni dhe nuk e dinim cfarë na priste. Polonia është një skuadër shumë e fortë dhe në Varshavë, ishte një fushë shumë e vështirë. Aty nisi një rrugëtim dhe ata e kuptuan se e rëndësishme për ne ishte të ishim në garë. Ata e kuptuan se edhe pse pësuam një gol, duhet të ishim seriozë dhe të fokusuar brenda objektivit, në minutën e fundit kishim mundësi për të barazuar. Unë mendoj se ishte një sinjal që u erdhi atyre. Ata janë inteligjentë, kanë ardhur për të bërë diçka të mirë, e kuptojnë futbollin. Me Moldavinë në shtëpi kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, po ashtu edhe në transfertë me Ishujt Faroe, është përgjigjja që kanë dhënë lojëtarët, por e them gjithmonë që ‘nuk ka mbaruar’. Ne e dimë se sa e vështirë është për të shkuar në finalet e një Europiani. Ka ndodhur një herë, jemi shumë afër, por unë kam lindur në San Paolo dhe jam i qartë për këtë pjesë, ashtu sikurse lojtarët.

Çfarë lloj Kombëtareje është Shqipëria? – Unë besoj te ekuilibri i skuadrës. Një skuadër që mbrohet mire, ka sakrificë shumë djersë, organizohesh dhe më pas kemi një cilësi shumë të mirë. Edhe te zotërimi i topit jemi shumë të fortë. Kemi një skuadër që ka një tranzicion shumë të mirë. Ne përfitojmë nga të gjitha aftësitë që kemi. Nuk është një ‘Brazil i vogël’ është një Shqipëri puro edhe ngjyrat janë shumë të bukura, më pëlqen shumë dhe është skuadra shqiptare 100%. Unë shoh shumë Shqipëri te kjo skuadër. Janë momente të bukura, lojtarët po bëjnë shumë, na mungon edhe një hap i rëndësishëm, kemi edhe dy finale shumë të rëndësishme. Futbollistët e dinë mirë këtë Për mua kjo është ADN e Shqipërisë, futbollistë të mirë, të shpejtë, lojtarë që godasin mirë, dhe në fushë argëtohen.

Ndeshja me Moldavinë – Duhet të luajmë futboll. Duhet të përgatitemi për të dyja finalet. Nuk mendojmë për një pikë, por për t’u përgatitur për të dyja takimet. Është një ndeshje shumë e fortë ndaj Moldavisë, sepse edhe ata janë në garë për t’u kualifikuar.

Kjo skuadër meriton më shumë sesa një kualifikim? –  Fjala ‘meritë’ qëndron në fushë për 90 minuta. Duhet ta mbyllim mirë këtë fushatë, deri tani kemi bërë shumë mirë. kur thua ‘meriton’ apo jo, jam gjithmonë i kujdesshëm. Çelësi është në fushë, djersa e lojtarëve, zemra e tyre është në fushë. Janë dy finale të rëndësishme për historinë e Shqipërisë dhe është përgjegjësi e madhe. Jemi të ndërgjegjshëm që jemi në rrugën e duhur. Jam i lumtur që futbolli na jep këtë mundësi për të shkuar përpara. Të punosh me Kombëtaren është shumë e bukur. Po përjetojmë një periudhë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Duhet të jemi me këmbë në tokë.