Zgjedhjet, partitë me qëndrime të kundërta për datat
Partitë politike janë me qëndrime të kundërta....

Partitë politike janë me qëndrime të kundërta, sa i përket bashkimit të zgjedhjeve presidenciale me ato parlamentaret. LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja ende nuk bëjnë publike as emrat e favoritëve të tyre, si kandidatët për president.
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, thotë se kandidati do të dihet pas zgjedhjes në parti.
“Sa i takon kandidatëve të zgjedhjeve, LSDM-ja ka procedurë të definuar për kandidat presidencial. Çdo anëtarë i partisë, i cili përmbush kriteret e theksuara në statut, mund të kandidohet ose të vetëkandidohet dhe më pas organet e partisë vendosin se kush do të jetë kandidat për president. Procesi ende nuk ka nisur megjithatë të gjithë kandidatët anë shanse të barabarta në këtë garë.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Edhe nga VMRO-DPMNE-ja thonë se kandidati më i mirë do të burojë nga partia. Kreu i partisë fton pushtetin që ditëve në vijim të dakordojnë datën e cikleve zgjedhore.
“Shpresoj të mbisundojë logjika dhe interesat shtetërore dhe për një javë deri në dy javë të arrihet konsensus rreth datës së zgjedhjeve dhe me një shpenzim të organizojmë zgjedhje dhe në rrethin e dytë të presidencialeve të organizojmë zgjedhjet parlamentare. Pres të ketë kandidatë burra dhe gra dhe delegatët në konventë të zgjedhin më të mirin për Maqedoninë.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Opozita shqiptare gjatë fundjavës promovoi frontin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, duke pohuar që në zgjedhje do të nxjerrin një kandidat për president, si dhe në parlamentaret të dalin me lista të përbashkëta.
Ftuan edhe ASh-në, që t’i bashkëngjitet iniciativës së tyre, por nga kjo parti ende nuk ka deklarime publike për veprimin e tyre në ciklet zgjedhore. (Meral Ismaili, TVM2)
