Botë
Avramovska-Madiq: Këshilli Gjyqësor ka legjitimitet dhe integritet veprimi
07.11.2023 16:08
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska - Madiq, nuk deshi të komentojë vendimin e kryetares së Gjykatës Supreme...

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska - Madiq, nuk deshi të komentojë vendimin e kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi, për mos iu përgjigjur ftesës së Këshillit Gjyqësor, për të diskutuar për denoncimin e saj publik në media se ka presione ndaj gjyqtarëve në gjykatë. Ajo tha se nuk do të komentojë qëndrimet dhe vendimet e gjykatave, sepse është ndërhyrje e ekzekutivit në pushtetin gjyqësor. Madiq, duke iu përgjigjur pyetjes së nëse Këshilli Gjyqësor aktual ka kredibilitet për të hetuar presionet politike në përgjithësi, së fundmi edhe në Gjykatën Supreme, tha se Këshilli ka legjitimitet dhe integritet veprimi.
“Të gjitha organet e zgjedhura nga Kuvendi, pra edhe ky Këshill Gjyqësor që ka përfaqësuese nga radhët e gjykatësve, që vetë i ka zgjedhur, normal që ka legjitimitet dhe integritet dhe mund të veprojë. Ne shohim që në muajt e kaluar Këshilli Gjyqësor është duke vepruar, duke marrë vendime unanimisht, proceset po lëvizin. Ndërsa sa i përket Gjykatës Supreme nuk do të komentoj, sepse disa herë kam thënë se qëndrime dhe vendime të gjykatave nuk do të komentoj, sepse është ndërhyrje e pushtetit ekzekutiv në pushtetin gjyqësor.”, - theksoi zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska – Madiq.
Ditë më parë, kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, nuk u paraqit në takimin e punës që Këshilli Gjyqësor kishte caktuar për të diskutuar mbi presionet politike, që Ademi i denoncoi publikisht në një intervistë. Ajo kundërpërgjigjen e kishte me shkrim dhe mes tjerash potencoi se është mirë që ky debat të bëhet pasi të publikohen raportet ndërkombëtare. Ademi njëherit i bëri thirrje Këshillit, që si për fillim të flasë për presionet e dy ish-kryetareve, Vesna Dameva dhe Pavlina Cërvenkovska.
SANIJE DURAKU
