Maqedoni

Sindikata e Pavarur Akademike ”Brain Drain” po financohet me para shtetërore

07.11.2023 16:22

Nga 10 deri në 25 milionë euro ka shpenzuar vendi në 13 vitet e fundit për dhënien e bursave...

Nga 10 deri në 25 milionë euro ka shpenzuar vendi në 13 vitet e fundit për dhënien e bursave për studentë për të studiuar në 100 universitetet e para në listën e Shangait. Pjesa më e madhe e këtyre parave është shpenzuar për studentët, që pas studimeve kanë vazhduar të punojnë jashtë vendit, në vend që të kthehen në vend, siç e kërkonin kushtet e konkursit. Asnjë përfitues i këtyre bursave, i cili pas studimeve u punësua jashtë vendit, nuk e ka kthyer shumën për shkollimin e tij, bën të ditur analiza e Sindikatës së pavarur akademik.
 
“Ne, si pothuajse asnjë vend tjetër në botë, kemi të paktën 10 vjet që e inkurajojmë "ikjen e trurit" me paratë e shtetit. Për këtë, sipas vlerësimit tonë, janë shpenzuar mjete nga 10 deri në 25 milionë euro. Tek ne ende nuk financohen edhe projektet vendore kërkimore-shkencore, diçka që na bën unik në të gjithë Evropën.”, - deklaroi autori i analizës, Viktor Stefov.
 
“Nga studentët e ciklit të parë janë regjistruar 28 në degët tekniko-teknologjike, nga të cilët 11 janë IT. Dhe ne e dimë se këtu në Maqedoni, krijojmë personel të teknologjisë kompjuterike aq shumë, sa që shumica prej tyre apo 80% largohen nga vendi. E megjithatë 11 janë dërguar jashtë vendit, gjë që është e paqartë.”, - theksoi autorja e hulumtimit, Mimoza Ristova.
 
MASh-i me përgjigje: Punësimi në RMV nuk është i patjetërsueshëm
 
Për akuzat e Sindikatës së Pavarur Akademike kërkuam sqarim nga MASh-i nga ku potencuan se kandidatët në pajtueshmëri me marrëveshjen e nënshkruar, për obligim pas kthimit të punësohen në RMV, por ky obligim nuk është i patjetërsueshëm. 
 
“Pas mbarimit të studimeve, kandidatët në pajtueshmëri me marrëveshjen për shfrytëzimin e bursës kanë për obligim të kthehen në RMV dhe të punojnë në sektorin publik apo privat së paku dyfish më shumë se periudha që kanë studiuar. Gjashtë muajt e parë duhet të jenë në dispozicion për t’u punësuar në kuadër të organeve shtetërore, por kjo nuk është obligim i patjetërsueshëm që u jepet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.”.
 
Sipas MASh-it, deri në vitin e kaluar numri i bursave që ndante MASh-i ishte i pakufizuar. Këtë vit në konkurs janë paraparë dhjetë bursa për studime deridiplomike dhe pesë për studime postdiplomike.  
 
FLUTURA LATIFI