Uzuni, më i miri i Segunda Division

08.11.2023 12:56

Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të spikatin me skuadrat e tyre dhe njëri prej tyre është edhe Myrto Uzuni...

Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të spikatin me skuadrat e tyre dhe njëri prej tyre është edhe Myrto Uzuni. Në fakt, mbrëmja e së hënës ka qenë e veçantë për sulmuesin e Kombëtares kuqezi, i cili ka qenë i pranishëm në një ceremoni në Madrid, ku janë ndarë çmimet për lojtarët më të mirë të edicionit të kaluar sipas votave të futbollistëve profesionistë në Spanjë. Shoqata e Futbollistëve Profesionistë Spanjollë (AFE), e organizoi këtë ceremoni të ndarjes së çmimeve në “Real Casino” të Madridit dhe Uzuni ishte një nga yjet e mbrëmjes.
 
Sulmuesi shqiptar ishte përzgjedhur nga votuesit si lojtari më i mirë i nivelit të dytë të Kampionatit Spanjoll të Futbollit, që njihet si “Segunda Division”, për sezonin 2022-2023, në të cilin ai u shpall golashënuesi më i mirë i këtij kampionati dhe ndihmoi Granadën që të ngjitej në elitë. Dhe nuk ishte rastësi që në ceremoninë e djeshme, çmimin atij ia dorëzoi vetë presidenti i La Ligës spanjolle, Havier Tebas. Për sulmuesin shqiptar kjo është padyshim një arritje e jashtëzakonshme në karrierën e tij që ka pasur rritje graduale duke qenë vazhdimisht një nga lojtarët më të spikatur në të gjithë kampionatet ku ka luajtur deri tani.