Osmani për raport progresin e KE-së: Dobësitë, polarizimi politik dhe bllokimi i Kuvendit

08.11.2023 15:12

Polarizimi politik dhe bllokimi i Kuvendit...

Polarizimi politik dhe bllokimi i Kuvendit, ku merren vendime të rëndësishme ligjore, janë dobësitë më të rëndësishme që i ka detektuar  Komisioni Evropian, thotë shefi i diplomacisë, Bujar Osmani.

Sipas tij,  këto dy elemente kanë ngadalësuar procesin e reformës së shtetit dhe kanë penguar miratimin e zgjidhjeve të rëndësishme ligjore.

Përpjekjet nuk do të ndalen, vijon ai, duke shtuar se ky nuk është një mesazh vetëm për Qeverinë, por edhe për opozitën, e cila bllokon Parlamentin vetëm për interes të përditshëm partiako-politik dhe kështu nuk lejon miratimin e zgjidhjeve të rëndësishme ligjore.

“Nuk do të lëmë gur pa lëvizur deri sa t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese, pasi që e dimë se pa ndryshimet kushtetuese nuk ka BE, nuk ka negociata dhe pa negociatat me BE-në, ne nuk mund të funksionojmë si shoqëri. Pa këtë raport që e jep sot BE-ja si skener, si diagnozë për të gjitha dobësitë, ne as nuk do të kemi mundësi t’i detektojmë dobësitë tona, as t’i korrigjojmë dobësitë tona. Prandaj deri në minutën e fundit, deri sa e kemi frymën e fundit, deri sa e kemi mundësinë e fundit, ne nuk do të ndalemi duke punuar për ndryshimet kushtetuese, por përgjegjësia nuk është vetëm e BDI-së. Nuk mundet vetëm BDI-ja të mbajë përgjegjësi për të ardhmen evropiane të vendit, duhet të dalin edhe ata të cilët e pengojnë rrugën me të gjitha pasojat që i sjell pengimi i asaj rruge dhe të mbajnë përgjegjësi.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Osmani thotë se raporti i Komisionit duhet parë si tregues i progresit dhe dobësive në mënyrë që Qeveria, por edhe e gjithë shoqëria në tërësi, t'i adresojnë ato dobësi në vitin e ardhshëm. Dhe mënyra më e mirë për t'i adresuar, shtoi Osmani, është përmes hapjes së klasterëve. (Sanije Duraku, TVM2)