Liga e Kampionëve, tri skuadra kërkojnë kualifikimin në 1/8 e finales

08.11.2023 15:26

Sonte në kuadër të xhiros së katërt së fazës të grupeve në Ligën e Kampionëve....

Sonte në kuadër të xhiros së katërt së fazës të grupeve në Ligën e Kampionëve, do të zhvillohen tetë ndeshje tjera. Kryendeshja e kësaj mbrëmje padyshim është dueli ndërmjet Arsenalit dhe Sevillas. “Topxhinjët”, me 6 pikë kryesojnë renditjen e Grupit “B”, ndërsa Sevilla mban pozitën e tretë me dy pikë. Skuadra londineze me një fitore që sonte mund të sigurojë kualifikimin tek 16 skuadrat më të mira në evropë.
 
“Është një lojë kundër një kundërshtari të madh, për mendimin tim skuadra e katërt apo e pestë më e mirë në Evropë. Ne tashmë kemi përvojën e lojës që luajtëm kundër Arsenalit në Sevilja, e pamë se për  çfarë jemi të aftë dhe për çfarë janë ata të aftë.”, tha trajneri i Sevillas, Diego Alonso.
 
Real Madrid sonte në darkë si vendas në derbin e ishullit iberik do të përballet me Bragën. Trajneri i “mbretërve”, Carlo Ancelotti ka dalë në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes, ku më shumë është përqëndruar tek gjendja e Belingham.
 
“Ai është mirë, është i disponueshëm, por duhet të shoh nëse do të jetë titullar apo nëse do të pushojë një ndeshje pas problemit në shpatull. Ai është stërvitur, por unë do të vlerësoj, do të luajë ose jo.”, tha trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti.
 
Si Real Madrid, ashtu edhe Bayern Munich, sonte mund të sigurojnë kualifikimin në 1/8 e finales së Ligës së kampionëve. Pasi në tri ndeshjet e para kanë shënuar po aq fitore. Bavarezët sonte përballen me Gallatasaray. Salzburg dhe Inter do të ballafaqohen sonte në Austri. Skuadrës italiane i duhet edhe një fitore për të siguruar raundin tjetër të garës elitare evropiane kur kanë mbetur të luhen edhe dy ndeshje.