Zgjedhjet, Xhaferi: Partitë të dakordohen deri në fundvit
Kryeparlamentari Talat Xhaferi....

Kryeparlamentari Talat Xhaferi u ka dhënë afat partive politike që deri në fund të vitit të dakordojnë datat e zgjedhjeve, në të kundërtën pas vitit të ri do të shpallë zgjedhjet. Xhaferi thirret në afatet që duhet respektuar me ligj.
“Nëse pajtohen, mirë, nëse jo atëherë vijojnë obligimet dhe autorizimet e mia. Unë nuk mund të udhëhiqem sipas vendimeve të partive, se a do të ketë ose konsensus. Unë kam obligim që në kuadër të obligimeve ligjore të shpall zgjedhje. Nga shpallja të siguroj minimum 70 ditë, maksimum 90 ditë. Sa i takon zgjedhjeve parlamentare, si rezultat i ligjit për Qeveri, 100 ditë para votimit duhet të ketë qeveri teknike pa marrë parasysh se a janë të rregullta ose të parakohshme. Këto të gjitha janë obligime të cilat duhet që unë t’i kem parasysh që të veprojë. Andaj nuk do të lë që të më ikin afatet.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Sipas ligjit, zgjedhjet presidenciale do të duhet të mbahen 60 ditë pas përmbylljes së mandatit të presidentit, ndërkaq parlamentaret do të duhet të mbahen në 90 ditët e fundit të mandatit.
Partitë politike nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre, pushteti thotë se zgjedhjet do të mbahen në afatet e rregullta, ndërkaq opozita kërkon bashkimin e zgjedhjeve parlamentare me raundin e dytë të presidencialeve.
Ndryshimet kushtetuese, Xhaferi: Sigurimi i shumicës, çështje e partive
Ndërkohë sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Xhaferi tha se do të duhet të sigurohet shumicë për votimin e tyre. Se a do të ketë shumicë apo jo, Xhaferi thotë kjo nuk është çështje që i përket atij, por subjekteve politike parlamentare. (Meral Ismaili, TVM2)
