Maqedoni
Raport i progresit për RMV-në: Gjyqësori dhe korrupsioni, pa rezultat
08.11.2023 15:58
Maqedonia e Veriut, pa përparim në sistemin gjyqësor...

Maqedonia e Veriut, pa përparim në sistemin gjyqësor. Korrupsioni akoma i përhapur në shumë fusha. Shqetësuese edhe vjetrimi i veprave penale. Janë këto fushat kryesore ku Komisioni Evropian ka vlerësuar vendin me notë të dobët në raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut. Pak përparim konsiderojnë se është shënuar në luftimin e krimit të organizuar. Mesatare në reformat administrative dhe po ashtu me nivel të moderuar në fushën e lirisë së shprehjes. Progres i caktuar në kriteret ekonomike.
“Nuk ka pasur përparim në gjyqësor gjatë periudhës raportuese. Këshilli Gjyqësor duhet të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe institucioneve dhe duhet t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm. Shkarkimi i diskutueshëm i kryetarit të Këshillit Gjyqësor ngriti shqetësime për ndikim të padrejtë politik. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese. Vonesat dhe anulimet në gjykimet e çështjeve të korrupsionit të nivelit të lartë u rritën, duke rezultuar në skadimin e afatit të parashikimit në disa raste. Kodi Penal u ndryshua me procedurë të përshpejtuar parlamentare. Dënimet maksimale ligjore për vepra penale specifike të lidhura me korrupsionin u reduktuan, duke pasur implikime në zbatimin e vjetrimit dhe duke ndikuar, ndalur apo edhe përfundimin e një numri të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë edhe PSP –në.”.
Raporti ka theksuar edhe punën e polarizuar të partive politike në Parlament. Apelojnë për të debat politik konstruktiv, që do t’i hapë rrugë konsensusit politik për procesin e negociatave.
“Procesi i negociatave për anëtarësim në BE kërkon konsensus të gjerë të partive kryesore politike. Të gjitha partitë duhet të fillojnë të angazhohen në një debat politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, për të forcuar rolin e Parlamentit.”.
KE-ja miratoi pakon e zgjerimit, Von der Lejen: Ta kompletojmë unionin me Ballkanin Perëndimor
Ndërkohë gjatë prezantimit të pakos së zgjerimit për vitin 2023 nga kryetarja e KE-së, Ursula von der Lejen dhe komisionarit për Zgjerim, Oliver Varheji, u tha se kompletimi i Unionit është thirrje historike dhe se politika e zgjerimit është prioritet i tyre. Plani për zhvillim të Ballkanit Perëndimor, sipas zyrtarëve evropian, do ketë efekt ekonomik dhe integrim vlerash para se të bëhemi anëtarë të familjes së madhe evropiane. Përkujtojnë zbatimin e reformave.
“Kompletimi i Unionit tonë është thirrje historike. Qytetarët e vendeve që duan t’i bashkëngjiten janë njësoj si evropianët e sotëm, sepse të gjithë e dimë se gjeografia, historia dhe vlerat e përbashkëta na lidhin. Pra, kompletimi i unionit tonë ka gjithashtu logjikë të fuqishme ekonomike, politike dhe gjeopolitike.”, - theksoi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
Varheji: Plani ynë për rajonin tuaj, me beneficione
“Vendeve të Ballkanit Perëndimor u japim mundësi për integrim të mëhershëm në BE, para se në fakt t’i bashkëngjiten unionit.”, - u shpreh eurokomesari për Zgjerim, Oliver Varheji.
Rekomandimet dhe raportet e miratuara më 8 nëntor për shtetet që janë në proces, do të jenë në rend dite në takimin e radhës të Këshillit të BE-së, që do të mbahet në dhjetor.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
