Maqedoni
Tabletë për studentët e familjeve me të ardhura më të vogla
16.03.2015 16:24
Së shpejti do të fillojë furnizimi publik me tabletë për studentë të vitit të tretë dhe të katërt të cilët jetojnë në familje ku të ardhurat janë më të vogla nga rroga mesatare neto...

Këtë e bëri të ditur ministri i Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski, sipas të cilit ky projekt është paraparë për të ndihmuar këtë kategori studentësh.
“Shpresojmë se kjo masë do të arrijë efekte pozitive tek studentët, por edhe te sektori privat, me çka do të ketë rritje të ekonomisë. Po ashtu, me 300 mijë tabletë do të furnizohen edhe shkollat të cilat nuk janë të pajisura me kompjuterë, e më pas gradualisht do të zëvendësohen edhe kompjuterët të cilët veç më janë amortizuar”- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski.
Në këtë takim mes sektorit qeveritar dhe përfaqësuesve të “Masit” u shqyrtuan edhe mundësitë se si të mos largohen të rinjtë e arsimuar në sferën e informatikës jashtë vendit.
“Mënyra e vetme që të mos largohen njerëzit është të punohet në eksportin. Në këtë mënyrë do të mundësojmë që kuadri nga Maqedonia të mbetet në shtet dhe të punojë në projekte të rëndësishme”- tha Srgjan Mihajllovski nga “Masit”.
Sipas Ministrisë për Shoqëri Informatike, ky projekt pritet të rrumbullakohet deri në fund të vitit.
FLUTURA LATIFI
