Botë
Raporti i progresit për Shqipërinë, përparim në drejtësi, kritika për polarizimin politik
08.11.2023 16:33
Shqipëria po ecën kënaqshëm në procesin e integrimit evropian, me përparim në sistemin e drejtësisë dhe rritjen ekonomike...

Shqipëria po ecën kënaqshëm në procesin e integrimit evropian, me përparim në sistemin e drejtësisë dhe rritjen ekonomike, por me kritika për klimën e polarizuar politike. Këto janë pikat kryesore të progres-raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, i pari që pas përfundimit të fazës së parë të negociatave me procesin skrining. BE-ja kërkon vijimin e dënimeve të zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të lartë, ndërsa kërkon edhe dënim ndaj atyre gjyqtarëve e prokurorëve që dalin nga vetingu.
“Struktura e Specializuar për Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kryer procedime penale dhe hetime financiare për disa çështje të nivelit të lartë. Dënimet penale u shqiptuan nga gjykatat e SPAK-ut për çështje të profilit të lartë, veçanërisht në rastin e një ish-ministri të Mjedisit dhe një deputeti, si pjesë e një hetimi për kontratat koncesionare për trajtimin e mbetjeve urbane (çështja e inceneratorëve). Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në çështjet e nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit.”, - thuhet në Progres-raportin e Komisionit Evropian.
Në progres-raportin e Komisionit Evropian vlerësohen si të qeta dhe brenda standardeve zgjedhjet lokale të 14 majit në Shqipëri. Megjithatë evidentohet polarizimi politik dhe pjesëmarrja e ulët.
“Është regjistruar një pjesëmarrje e ulët prej vetëm 38,2%. Skena politike vazhdoi të shënohej nga polarizim politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare.”, - thuhet në Progres-raportin i-e Komisionit Evropian.
Lufta brenda Partisë Demokratike evidentohet nga KE-ja edhe në pjesën kur flet për parlamentarizmin, në të cilin evidenton përplasjet mes palëve duke theksuar edhe faktin se vetëm në një muaj u përjashtuan 23 deputetë të opozitës. Brukseli vlerëson ecurinë ekonomike të Shqipërisë, duke theksuar se ajo përballoi krizën që erdhi nga lufta në Ukrainë. Në progres-raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023 përmenden edhe hetimet për akuzat për abuzime me fondet e IPARD në sektorin e bujqësisë.
LULJETA NDOKA
