Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit, G7 bën thirrje për pushime humanitare

08.11.2023 17:32

Ushtria e këmbësorisë izraelite ndodhet në zemër të Gazës....

Ushtria e këmbësorisë izraelite ndodhet në zemër të Gazës, njoftoi zëdhënësi i mbrojtjes izraelite. Tel Avivi është duke menduar për pauza të vogla taktike në operacionet ushtarake, por nuk do të ketë armëpushim, derisa Izraeli nuk shënon fitore, u shpreh i prerë kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.

Ndërkohë, Hezbollahu iranian paralajmëroi se nëse Izraeli nuk i ndërpret bombardimet mbi civilët, do t‘i intensifikojë sulmet në pikat kufitare izraelite, po ashtu edhe mbi bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Afërt.

“Nuk ka armëpushim! Vazhdojmë përpara! Jemi të fokusuar në sulmet në Gaza dhe në të njëjtën kohë punojmë në të gjitha sektorët në veri. Janë në gatishmëri të lartë të gjithë në Izrael, pasi jemi duke parandaluar terrorizmin.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes-Izrael, Daniel Hagari.

Lufta në Lindjen e Mesme është gjithashtu temë e takimit të G7-s në Tokio. Diplomatët e Grupit 7 dolën me qëndrim kritik për sulmet e Hamasit dhe mbështetën “ të drejtën” e Izraelit për vetëmbrojtje. Ata kërkuan armëpushim për të përshpejtuar ndihmat humanitare për civilët.

“Të gjithë duam t’i japim fund këtij konflikti sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në të njëjtën kohë të minimizojmë vuajtjet e civilëve. ShBA-ja beson se elementet kryesore nuk duhet të përfshijnë zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Gaza, jo tani, jo as pas luftës. Patjetër duhet të zbatojmë një mekanizëm të qëndrueshëm për rikostruktimin e Gazës, ndërsa izraelitët dhe palestinezët të jetojnë krahë për krahë në shtetet e tyre me të drejta të barabarta.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i ShBA-së, Antoni Blinken.

700 shtetas të huaj janë evakuuar nga enklava e luftës, njoftojnë nga OKB-ja, të cilët bëjnë thirrje për armëpushim, për shkak të katastrofës humanitare. Ministria e Shëndetësisë në Palestinë, njofton se mbi 10,500 persona janë vrarë gjatë konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës. Afro 3,000 njerëz janë të zhdukur. Numri i viktimave mund të rritet pasi të pastrohen rrënojat e ndërtesave të rrëzuara.

“Këta numra nuk e tregojnë pasqyrën e saktë të viktimave, pasi trupat janë nën gërmadha. Më tepër se 70% e viktimave janë fëmijë, gra dhe pleq.”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë në Ramallah Mai Al Kajla.

Ndihmat humanitare hynë në Gaza përmes vendkalimit kufitar “Rafah”, por asgjë nga karburantet nuk futën, njoftojnë nga OKB-ja. Nesër është caktuar mbledhje e re në Këshillin e Sigurimit, ku do të diskutohet për situatën në Rripin e Gazës. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)