Maqedoni

Raporti i KE-së, VMRO: Raporti tregon se Qeveria është e korruptuar

08.11.2023 18:22

Raporti është pasqyrë e realitetit. Me një qeveri të kriminalizuar dhe korruptuar...

Raporti është pasqyrë e realitetit. Me një qeveri të kriminalizuar dhe korruptuar, Maqedonia e Veriut do të mbetet larg BE-së, konstaton VMRO-DPMNE-ja. Sipas kësaj partie, raporti tregon se nuk ka përparim në procesin eurointegrues, kurse në Kuvend ka mungesë të planifikimit adekuat.
 
Sipas VMRO-së është notuar shfrytëzimi joadekuat i flamurit evropian, si dhe dobësi në sistemin gjyqësor.  
 
“Raporti qartë tregon se korrupsioni mbetet e përhapur në shumë fusha dhe është çështje shqetësuese. Në vend të shtetit ligjor kemi sundimin e arbitraritetit. Në vend të një reforme të fortë, ne kemi institucione të prapambetura. Problemi pse Maqedonia nuk i fillon negociatat nuk janë marrëveshjet e dëmshme apo mosndryshimi i Kushtetutës nën diktatin e dikujt, por për atë se shteti nuk është realisht i reformuar dhe prandaj në vend të drejtësisë ka një qeveri të ngecur në krim dhe korrupsion!”, - deklaroi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE. 
 
LSDM: Opozita, përgjegjëse për kritikat e KE-së
 
Nga ana tjetër, sipas LSDM-së, raporti i KE-së konfirmoi faktet se  VMRO-DPMNE-ja dhe e Majta janë frenat e përparimit drejt BE-së. Problemi kyç për raportin e Komisionit Evropian dhe vërejtjet në të, sipas LSDM-së është bllokimi i Kuvendit, për të cilën përgjegjëse është opozita.
 
“Theksohet nevoja për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe reformave për BE-në, të cilat po i bllokojnë pikërisht DPMNE-ja dhe Mickoski. Bllokada e DPMNE-së dhe të Majtës është edhe për kapitujt që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, që do të thotë se DPMNE-ja ishte dhe mbetet kundër drejtësisë. Komisioni tregon qartë se Maqedonia ka përparuar në 81 për qind të kapitujve dhe nuk ka ngecje në asnjë kapitull.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM. 
 
VMRO-DPMNE-ja së bashku me të Majtën, sipas LSDM-së janë të vetmet parti antievropiane, që janë pengesat më të mëdha në rrugën evropiane të vendit.
 
ERSAN PAJAZITI