Maqedoni
Ndërtimet e shumta në kryeqendër, Vellkovski: Po ngulfatet kryeqendra
08.11.2023 19:06
Kryeqendra, por edhe qytetet tjera të vendit, në dekadën e fundit janë vërshuar...

Kryeqendra, por edhe qytetet tjera të vendit, në dekadën e fundit janë vërshuar nga ndërtimet e ndërtesave të banimit. Vetëm në 5 muajt e fundit në rajonin planor të Shkupit janë ndërtuar 1,447 banesa. Ndërtimet, sidomos në pjesën qendrore të qytetit, po e ngufasin Shkupin, thotë arkitekti, Nikolla Vellkovski, i cili si zgjidhje propozon zgjerimin e qytetit.
“Fillimisht duhet ta shohim se çfarë kemi bërë, çfarë duhet të korrigjojmë dhe në cilin drejtim ta zhvillojmë urbanizmin dhe zgjidhjet urbanistike, sidomos në qytetin e Shkupit, e më pas edhe në qytetet tjera të vendit. Ne kemi plan hapësinor për rajonin e Shkupit, të cilin patjetër duhet ta revidojmë pak që të shohim se cilat zona i kemi paraparë dhe këtu propozoj ta zgjerojmë përfshirjen e qytetit të Shkupit, se përse ne shumë jemi koncentruar në pjesën qendrore të qytetit?! Po e ngufasim qytetin, ndërsa kemi mundësi hapësinore të zgjerohet qyteti, por duhet të shohim edhe aspektin e infrastrukturës, ujësjellësit, kanalizimit, gazsjellësit apo ngrohjes qendrore.”, - theksoi arkitekti, Nikolla Vellkovski.
Pençiq: Ndërtimet të përcillen me infrastrukturë
Edhe profesoresha Divna Pençiq thotë se me ndërtimet e reja iu mundësua qytetarëve të kenë vendbanime të reja, por ato nuk u shoqëruan me infrastrukturën e nevojshme.
“U harrua gjithçka tjetër që duhej bërë nëpër qytete, që për ata banorë të sigurohen ndërtime të reja, të sigurohen të gjitha funksionet tjera siç janë: çerdhet, shkollat, shitoret lokale, të gjitha shërbimet tjera që na duhen dhe të gjitha këto mos të jetë e nevojshme t’i sigurojmë me veturë. Ndërtimi u bë, në njërën anë ndërtesa banimi dhe në anën tjetër qendra tregtare, pa pasur asgjë nga kualiteti i jetës.”, - u shpreh profesoresha, Divna Pençiq.
Qerimi: Shkupi të ketë më shumë hapësirë për rekreacion
Studenti i arkitekturës, Faton Qerimi, po punon në një projekt se si në Bardovcë të Shkupit ndërtimet e shumta të mos dëmtojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. Ai preferon që përvojat e mira nga vendet tjera t’i aplikojë edhe në Shkup, për ta bërë atë vend më të mirë për jetë.
“Mund të them se pres dhe dëshiroj që Shkupi të jetë qytet në të cilin ka më shumë hapësira rekreative, ku unë si qytetar të kisha mundësi të shëtisja.”, - theksoi studenti i Arkitekturës, Faton Qerimi.
Po ashtu rrugët e kryeqendrës janë tejet të ngushta duke e pasur parasysh numrin e madh të automjeteve që është gjithnjë në rritje, prandaj ekspertët rekomandojnë që autoritetet të mendojnë edhe për zgjerimin e infrastrukturës rrugore të Shkupit.
FITORE DEMOLLI
