Maqedoni

Komuna e Çairit ndau vendime për legalizimin e objekteve pa leje

16.03.2015 17:01

Problemi i legalizimeve në Komunën Çair duket se dalëngadalë po zgjidhet...

Sot në këtë komunë u ndanë aktvendime të plotfuqishme për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje nga kryetari i kësaj komune, Izet Mexhiti.
 
Sipas tij, kjo është një çështje shumë e rëndësishme për qytetarët, pasi që ka qytetarë që me dekada nuk e kanë pasur të zgjidhur këtë problem.
 
Deri tani në komunë janë shqyrtuar mbi 50% të kërkesave për legalizim, ndërsa 30% prej numrit total veç më kanë marrë aktvendime të plotfuqishme. 
 
“Deri tani afër 30% të të gjitha lëndëve që janë mbi 8 mijë lëndë në Komunën e Çairit janë kryer, me vendime të cilat janë regjistruar edhe në kadastër dhe veç më i kanë listat e pronësisë si pronë me emër dhe mbiemër, ndërsa të shqyrtuara janë mbi 50% të lëndëve për legalizim në Komunën e Çairit, që ne mundohemi ta intensifikojmë procesin që sa më shpejtë, sa në numër më të madh të jenë procese të kryera dhe të kenë vendime për legalizim”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
 
Qytetarët të cilët morën këto vendime shprehen të kënaqur që u zgjidh ky problem, ku sipas tyre është dashur të zgjidhet shumë vite më parë. 
 
“Është interesant se prej se Komuna e Çairit ka filluar me punë, është duke kryer një detyrë jashtëzakonisht të madhe. E di që kanë shumë vështirësi për arsye se nuk janë lëndë të dy apo tre viteve, por janë lëndë të cilat është dashur që të kryhen para 50, 60, por edhe 80 viteve”- tha një qytetar.
 
Me këtë rast, kryetari Mexhiti apeloi deri tek të gjithë qytetarët e Komunës së Çairit, të cilët përveç kërkesave të dorëzuara për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje, deri më datën 31.12.2015 të dorëzojnë edhe elaboratet, pasi që ky është afati i fundit për dorëzim dhe në të kundërtën këto objekte do të vazhdojnë të mbesin si ndërtime të egra dhe nuk do mund të rregullohet statusi i tyre juridik.
 
ERSAN PAJAZITI