Maqedoni
Qeveri, u prezantua raporti i progresit për RMV-në
09.11.2023 10:44
Raporti i progresit për vitin 2023 për RMV–në u prezentua në Qeveri nga Ambasadori i BE–së në RMV Dejvid Gird...

Raporti i progresit për vitin 2023 për RMV-në u prezantua në Qeveri nga ambasadori i BE–së në RMV, Dejvid Gir dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariqiç.
Në periudhën e ardhshme, pakoja do të prezantohet edhe në Kuvend, si dhe para organizatave të shoqërisë civile. Komisioni Evropian në raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut ka drejtuar kritika të shumta për mungesë të rezultateve në disa fusha, në veçanti në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mospërmbushjen e detyrimit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe polarizimin e skajshëm të skenës politike.
“Në raport potencohet shqetësimi për polarizimin politik, e cila ka ndikuar në veçanti për punën e Kuvendit me çka shtyhen reformat e nevojshme dhe kjo nënkupton edhe bllokadën aktive të Kuvendit. Procesi paraqasës për BE-në kërkon të ketë konsensus mes partive politike për reformat kyçe. Sa i përket Kuvendit në raport konstatohet se është tepruar me procedura të përshpejtuara dhe ne bëjmë thirrje që flamuri evropian të shfrytëzohet kur është i lidhur në mënyrë direkte me implementimin e ligjeve, që kanë për qëllim harmonizimin me normativen e BE-së dhe jo të shkurtohen debatet për çështje të rëndësishme. Potencojmë se ka keqpërdorim të flamurit evropian në rastin e ligjeve penale dhe ligjeve që kanë të bëjnë me Korridoret 8 dhe 10-D.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në RMV, Dejvid Gir.
“Shtyrja apo lënia anash e negociatave dhe anëtarësimit të RMV-së në BE e vë në pozitë të paqartë edhe procesin reformues. Në rrethana të komplikuara gjeopolitike dhe tensione rajonale dhe me paqartësi të brendshme rreth vazhdimit të procesit eurointegrues, pranimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet parakusht të cilin nuk do të mundemi ta anashkalojmë dhe këtu nuk ka dilemë se vendimi është në duar tona dhe vetëm nga ne do të varet secili hap i ardhshëm në procesin dhe dinamikën e negociatave. Pozitë e rrejshme është se RMV-ja ka luksin të presë ose mund të arrijë marrëveshje më të mirë në të ardhmen.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
