Botë

Parisi mbledh liderët e 80 vendeve, nuk ftohet Izraeli

09.11.2023 11:52

Afërsisht 80 vende dhe organizata ndërkombëtare po takohen sot në Paris...

Afërsisht 80 vende dhe organizata ndërkombëtare po takohen sot në Paris, për të koordinuar dërgimin e ndihmave dhe për të vlerësuar se si do të ndihmohen të plagosurit në enklavën palestineze të Gazës, por nëse nuk ka ndërprerje të luftimeve, nuk priten rezultate konkrete.

I pranishëm do të jetë kryeministri palestinez, Mohamed Shtajeh, por Izraeli nuk është ftuar. Zyrtarët francezë thanë se po mbanin Tel Aviv të informuar për zhvillimet. Konferenca mbledh së bashku aktorë rajonalë si Egjipti, Jordania dhe shtetet arabe të Gjirit, si dhe vendet perëndimore dhe anëtarët e grupit G20, me përjashtim të Rusisë. Institucionet ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare që veprojnë në Gaza, si mjekët pa kufi, do të marrin pjesë gjithashtu në këtë aktivitet. Megjithatë, do të vijnë vetëm disa kryetarë shtetesh apo ministra, e organizatat joqeveritare ankohen për presionin e pamjaftueshëm që mund të ushtrojë konferenca për të arritur një armëpushim.
 
“Do të jetë një ushtrim për të përsëritur qëndrimet kombëtare, duke deklaruar se çfarë ka dhënë dhe çfarë do të japë secili vend, se civilët duhet të mbrohen dhe të respektohet ligji ndërkombëtar humanitar.”, tha një diplomat evropian.
 
Zyrtarët francezë shpresojnë se konferenca do të shërbejë si bazë për një reagim të shpejtë nga komuniteti ndërkombëtar sapo të ndalojnë luftimet.