Botë

Draft-statuti për Asociacionin, Hovenier: Është në përputhje me Kushtetutën

09.11.2023 13:05

Ambasadori amerikan, Xhefri Hovenier ka thënë se draft-statuti i ri për Asociacionin e komunave me shumicë....

Ambasadori amerikan, Xhefri Hovenier ka thënë se draft-statuti i ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i propozuar nga Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
 
Ai po ashtu ka potencuar se draft-statuti i propozuar nuk do t’u japë asnjë lloj autonomie serbëve në veri.
 
"ShBA-ja ka thënë fuqishëm që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë nivel shtesë i qeverisjes, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Unë nuk e shoh se si mund të kesh autonomi në këto rrethana. Nuk ka!", - deklaroi ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier.
 
Sipas tij s’ka asgjë sekrete me çështjen e draftit, por se duhen negociata deri në arritjen e versionit final të tij.
 
“S’ka asgjë sekrete, por negociatat diplomatike dhe angazhimet senzitive mes komunitetit ndërkombëtar me qeveritë shpesh bëhen në kushte diskrecioni. Sepse këto kushte janë të përshtatshme për të arritur në të vërtetë kuptueshmëri dhe avancime të gjërave, qofshin ato marrëveshje dialogu, marrëveshje të Rambujesë. Ka raste kur publiku njoftohet, por ka raste që shkëmbimet diplomatike konfidenciale nuk publikohen derisa të arrihet pajtueshmëria.”, - theksoi ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier.
 
Hovenier tha se finalizimi i statutit të Asociacionit është çështje “urgjente”, ndërsa theksoi edhe nevojën për zbatimin e plotë të të gjitha obligimeve të arritura nga Kosova dhe Serbia, si marrëveshjen bazë, ashtu edhe atë të Ohrit. 
 
GYLTENE SINANI