Maqedoni

Ligji kontraverz për Letërnjoftime futet në seancë plenare

16.03.2015 17:26

Propozim-ligji kontradiktor për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Letërnjoftime dhe propozim-ligji për paraqitje të vendbanimit dhe vendqëndrimit...

Propozim-ligji kontradiktor për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Letërnjoftime dhe propozim-ligji për paraqitje të vendbanimit dhe vendqëndrimit u futën në rend dite në seancën plenare pa kaluar paraprakisht në Komisionin Juridiko-ligjvënës.
 
Grupi parlamentar i BDI-së edhe pse kërkoi që këto dy pika të tërhiqen nga rendi i ditës, me pjesëmarrjen e tij në seancë, edhe pse votoi i përmbajtur, mundësoi që rendi i ditës të miratohet ashtu siç ishte propozuar më parë.
 
“Në sallë janë prezent 63 deputetë. Votimi është i vlefshëm. Vë në votim propozim-rendin e ditës, ju ftoj të votojmë”- tha kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski.
 
Propozim-rendi i ditës u miratua me 55 vota për dhe vetëm 9 abstenime. 
 
 Më herët, koordinatori i grupit parlamentar i BDI-së, Talat Xhaferi, propozoi që këto dy pika të tërhiqen nga propozim-rendi i ditës, pasi nuk kishin kaluar paraprakisht në komisionin përkatës. Mirëpo, propozimi i tij u hodh poshtë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. 
 
“Propozim-ligjet nuk kanë kaluar në komisionin përkatës, gjegjësisht në Komisionin Politiko-ligjvënës dhe për këtë arsye mendoj se janë të plotësuara kushtet e rregullores që këto dy pika të rendit të ditës të mos shqyrtohen në seancën e sodit. Të hiqen nga rendi i ditës dhe kur të krijohen kushtet të mund të rikthehen në procedurë parlamentare”- theksoi koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi. 
 
Dy propozim-ligjet kontradiktore kanë shumë paqartësi. Me Ligjin për Letërnjoftime thuhet se qytetari ka mundësi të aplikojë për letërnjoftim jashtë hapësirave të MPB-së pa saktësuar se për çfarë hapësira bëhet fjalë.
 
Propozohet shlyerja e qytetarëve si banorë rezidentë nga adresat e vendbanimeve nëse qëndrojnë jashtë vendit më shumë se 3 muaj; propozohet dhënia e letërnjoftimeve mbi bazën e vendqëndrimit.
 
Paqartësitë e këtilla kanë ngritur dyshime te vetë partneri shqiptar i koalicionit.
 
Dyshohet se me këto dy ligje pretendohet të fshihen si banorë rezidentë të gjithë mërgimtarët shqiptarë që janë jashtë vendi më shumë se tre muaj, dhe nga ana tjetër t’u lëshohen letërnjoftime personave që kanë vetëm vendqëndrim në Maqedoni. 
 
SHPËTIM NUREDINI