Botë
Izraeli vazhdon ofensivën ajrore mbi Gaza, bombardohen spitalet dhe kampet e refugjatëve
09.11.2023 13:30
Bombardimet izraelite mbi objektet civile në Rripin e Gazës nuk kanë të ndalur....

Bombardimet izraelite mbi objektet civile në Rripin e Gazës nuk kanë të ndalur. Pamjet e filmuara në Deir al-Balah në qendër të Gazës, tregojnë dhjetëra civilë të vrarë. Familjarët janë pranë trupave të tyre duke vajtuar dhe automjetet që marrin kufomat për t’i varrosur. Izraeli në sulmet ajrore bombardoi kampin e refugjatëve “Jabalia” në veri të Gazës dhe kampin “Sabra’ në Gazën perëndimore. Shumë njerëz kanë humbur të gjithë anëtarët e familjes dhe kanë mbetur tërësisht të vetëm.
"Unë kam dy fëmijët dhe gruan time. Kam gati gjithë familjen, nënën time, babain, njërën motër dhe një tjetër motër me dy fëmijë. Në fund i vranë, ata ranë dëshmorë.", - u shpreh një banor i Gazës.
Shënjestër e sulmeve izraelite këtë mëngjes ishin edhe spitalet. Një shpërthim i madh u raportua pranë spitalit “Al-Shifa” në qytetin e Gazës, ndërsa në Khan Jonis u bombardua departamenti i radiologjisë në spitalin “Naser”.
“Shikoni si është shkatërruar spitali, këtu nuk mund të trajtohen më pacientët.”, - thanë nga stafi mjekësor në spitalin “Naser”.
"Aq shumë nga sistemi shëndetësor është shembur në Gaza. Gjashtëdhjetë e gjashtë për qind, dy të tretat e klinikave të kujdesit shëndetësor parësor janë mbyllur. Ato nuk janë funksionale.", - theksoi drejtori i Emergjencave Shëndetësore të OBSh-së, dr. Majkëll Rajan.
Shumë pacientë dërgohen nëpër spitalet e Egjiptit për t’u trajtuar, duke kaluar përmes pikës kufitare Rafah, por as ky vendkalim nuk është i sigurt.
"Ka më shumë se 50 pacientë që kanë nevojë për trajtim në listën tonë. Ambulancat tona që transportonin fëmijë dhe gra të plagosur ishin gati në vendkalim, por ne u befasuam kur dëgjuam se ata ishin në shënjestër të sulmeve.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë i Egjiptit, Khalid Abdel-Gafar.
Makron: Lufta ka rregulla, të mbrohen civilët!
Me iniciativën e presidentit francez, Emanuel Makron, u mbajt mbledhje urgjente për të diskutuar situatën në Gaza. Shumë krerë shtetesh dhe qeverish morën pjesë në takim, në mesin e tyre edhe presidenti palestinez, Muhamed Abaz. Thirrjet për mbrojtjen e civilëve dhe armëpushim vazhdojnë.
"Lufta kundër terrorizmit nuk mund të bëhet kurrë pa rregulla, Izraeli e di këtë. Civilët duhet të mbrohen. Kjo është absolutisht e domosdoshme, është e panegociueshme. Situata është shumë e rëndë dhe po degradon dita-ditës. Tani duhet të punojmë për të siguruar mbrojtjen e civilëve. Për këtë, ne kemi nevojë shumë shpejt për një pauzë humanitare dhe duhet të punojmë drejt ndërmjetësimit të një armëpushimi.”, - theksoi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Erdogan akuzon vendet perëndimore për hipokrizi
Sipas presidentit të Turqisë, vendet perëndimore kanë qëndrime hipokrite dhe janë shumë të dobëta për të bërë thirrje për armëpushim, si dhe për të kritikuar vrasjet e fëmijëve.
"Ne po përballemi me një fanatizëm që legjitimon masakrën e fëmijëve. Vendet perëndimore, të cilat vazhdimisht flasin për të drejtat e njeriut, liritë dhe demokracinë, po i shikojnë masakrat e Izraelit nga larg. Këto vende dhe organizata janë shumë të dobëta për të bërë thirrje për armëpushim, madje edhe për të kritikuar vrasësit e fëmijëve.”, - u shpreh presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Që nga shpërthimi i konfliktit janë vrarë mbi 10,600 palestinezë, 70% e tyre janë gra, fëmijë dhe pleq. Ndërsa nga pala izraelite jetën e kanë humbur mbi 1,500 persona.
FARIJE DAUTI BAKIJU
