Botë

Shqipëri, opozita bllokoi Kuvendin, Korreshi ndezi tymues, u përjashtua nga seanca

09.11.2023 13:53

Skenari i opozitës për të bllokuar punimet e Parlamentit vijoi edhe këtë të enjte, me grumbullimin e karrigeve para foltores...

Skenari i opozitës për të bllokuar punimet e Parlamentit vijoi edhe këtë të enjte, me grumbullimin e karrigeve para foltores. Në mungesë të “rebelëve” të javëve të kaluara të përjashtuar nga Kuvendi, protagonist ishte Saimir Korreshi, i cili ndezi tymues.
 
Me sallën e mbushur me tym të bardhë, Lindita Nikolla nuk ia vonoi përjashtimin nga seanca.
 
“Zoti Korreshi ju tërheq vëmendje, ju përjashtoj nga seanca e sotme.”, - theksoi Lindita Nikolla.
 
“Thirrja ime ndaj pjesës më të madhe të deputetëve që janë në krahun e djathtë të kësaj salle, ju lutem mos u keqpërdorni nga interesi dhe halli personal i një njeriu të vetëm. Ky njeri e ka marrë peng PD-në prej 33 vitesh.”, u shpreh Taulant Balla drejt deputetëve të opozitës.
 
“Po shkoni si dele qorre pas një njeriu të vetëm. Nismat tuaja janë thjesht për t’i shërbyer politikës një njeriu të vetëm. Sali Berishës. Të rrëzohen kryetare.”, ju drejtua Ermonela Felaj opozitës.
 
Më i dëmtuari nga tymi që ndezën të vetët, si dhe në seancën e kaluar ishte Sali Berisha.
 
Mes tymit dhe me opozitarët në të majtën e tyre që zhurmonin, PS-ja miratoi një marrëveshje dhe rrëzoi 6 nisma të deputetëve të PD-së dhe PL-së.
 
Seancën vetëm 20 minuta, kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, e quajti turpin e një vendi të lirë, por për grevën që prej kohësh e premtojnë, sërish nuk dha datë.
 
“Kur shkelet Kushtetuta, nuk ka parlament. Që një parlament të funksionojë, duhet të zbatohen rregullat kushtetuese. Ashtu mund të funksionojë kryesia e PS, ashtu mund të funksionojë mafia e shpellave, e bodrumeve, por parlamenti funksionon mbi bazën e pluralitetit, mbi bazën e respektit të të drejtave themelore kushtetuese. Kushtetuta ka sanksionuar të drejta për deputetët. Ato të drejta nuk i ka sanksionuar për personin, por për popullin opozitar, që përfaqësohen nga opozita. Kjo tregon se parlamenti funksionon njëlloj si në diktaturë, si në Korenë e Veriut dhe jashtë çdo lloj standardi. Rivendosja e të drejtave kushtetuese dhe lejimi i krijimeve komisione hetimore parlamentare. Këtu po bëjmë për çdo qytetar, përveç çakejve dhe lëpirësve të Edi Ramës dhe qeverisë.”, u shpreh Berisha.
 
Por, për kreun e grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçin, mazhoranca është e gatshme për dialog me opozitën, por jo pazare me të.
 
LULJETA NDOKA