Maqedoni

Prezantohet Raporti i Progresit për RMV-në në Qeveri, Gir: Raporti i drejtë dhe i sinqertë, plotësoni detyrimet!

09.11.2023 14:37

Mungesa e përparimit në fushën e sundimit të ligjit, gjyqësorit, mosluftimi i korrupsionit...

Mungesa e përparimit në fushën e sundimit të ligjit, gjyqësorit, mosluftimi i korrupsionit, si dhe shqetësimet e polarizimit në Kuvend, në momentet kryesore të së ardhmes së vendit ishin vërejtjet e euroambasadorit, Dejvid Gir, pas publikimit të Raportit të Progresit për vendin tonë. Përmendi edhe tejkalimin e kufirit të punës parlamentare me procedura të përshpejtuara, ndërkaq bën thirrje që flamuri evropian të shfrytëzohet për ligjet që duhet të harmonizohen me legjislaturën e BE-së, e jo për ta shkurtuar debatin për çështje të rëndësishme. Gir potencoi notat e mira që vijnë në fushën e kritereve ekonomike, luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm, por megjithatë dera për hapjen e kapitujve me BE-në është në duart e Kuvendit, thotë ai,  gjegjësisht në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
 
“Reformat janë absolutisht me rëndësi themelore. Sa i përket procesit aderues lidhur me ndryshimet kushtetuese, është e qartë Marrëveshja se tashmë i kemi filluar bisedimet, skriningu po rrjedhë mirë, kërkesa për udhërrëfyesit është miratuar. Hapi i radhës është identifikimi dhe lëvizja drejt bisedimeve për klasterin e parë, që varet nga ndryshimi i Kushtetutës. Duam ta inkurajomë pushtetin, institucionet shtetërore, si dhe të gjithë aktorët politik, që të bëjnë më shumë për fushat ku nuk është arritur progres apo është shënuar proces i kufizuar.”, - deklaroi euroambasadori, Dejvid Gir. 
 
Mariçiq: Bllokojnë ndryshimet kushtetuese, reformat arrihen
 
Fusha e gjyqësorit dhe korrupsionit ku raporti i progresit adresoi kritika më të ashpra, nuk është e panjohur për zëvendëskryeministrin për eurointegrime, Mariçiq. Thotë së këto probleme duhet t’i zgjidh sistemi gjyqësor si i pavarur, me ndihmën e aksionit politik qeveritar. Megjithatë konsideron se vazhdimin e procesit eurointegrues nuk e ka kushtëzuar raporti, por mospërmbushja e kushteve të propozimit francez.
 
“Vazhdimi i mëtejshëm nuk është i lidhur me këtë raport, por me ndryshimet kushtetuese. Ne, mungesat e këtij raporti duhet t’i vëmë në listë si detyra gjatë negociatave, por a do të shkojmë në fazën e radhës, varet nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Pranimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet parakusht të cilin nuk do të mundemi ta anashkalojmë dhe këtu nuk ka dilemë se vendimi është në duart tona. Pozitë e rrejshme është se RMV-ja ka luksin të presë ose mund të arrijë marrëveshje më të mirë në të ardhmen.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Bojan Mariçiq.
 
Autoritetet vendore mirëpresin letrën zyrtare të Këshillit të BE-së për t’i përgatitur udhërrëfyesit për hapjen e klasterit të parë, që çon më afër bisedimeve, por përkujtojnë se epilogu i ndryshimeve kushtetuese është viza reale që mundëson vazhdimin e mëtejmë të procesit eurointegrues.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU