Maqedoni

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, Marija Janiçevska u propozua drejtore e ATO-s

09.11.2023 14:55

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime njëzëri mbështeti propozimin që Marija Janiçevska...

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime njëzëri mbështeti propozimin që Marija Janiçevska të jetë drejtore e Agjencisë Teknike Operative, pasi Agjencia tanimë dy muaj është pa drejtor. Kryetarja e komisionit Marija Georgievska tha se për këtë detyrë janë lajmëruar 21 persona, por që kandidatja Janiçevska përmbush kushtet, pasi ka qenë pjesë e ATO-s, si dhe kompanive private të telekomunikimit e angazhuar në mbrojtjen e të dhënave personale. 
 
“Zonja Marija nga muaji mars i vitit 2019-të e deri më tani ka pozicion këshilltar shtetëror për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta në Agjencinë Operative Teknike - ATO. Nga 2015-ta deri në vitin 2019-të ka ushtruar detyrën e ekspertit juridik për mbrojtjen e të dhënave personale në kompanitë A1 dhe ONE. Nga viti 2008 e deri në fund të vitit ka qenë pjesë e misionit të OSBE-së në Shkup.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Marija Georgievska.
 
Vendimin për përzgjedhjen e drejtorit të ri të ATO-s, Kuvendi e miratoi më 5 shtator, në prag të skadimit të mandatit pesëvjeçar të drejtorit paraprak, Zoran Angellovski. Emërimi i drejtorit të ri bëhet me dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvend, pa të drejtën e rikandidimit pas përmbylljes së mandatit. Agjencia Teknike Operative si organ i pavarur shtetëror u formua pas reformave në ish-DSK-në, Drejtorinë për Sigurinë Kombëtare, pas skandalit me përgjimet masive. DSK-ja u transformua në ASK, Agjencinë për Siguri Kombëtare duke mbajtur për vete pjesën më të madhe të kompetencave, ndërkaq ingerencat teknike ndaj pajisjeve për përgjim iu transferuan ATO-s.
 
MERAL ISMAILI