Maqedoni

Masat për investime në kompanitë e vendit, Bytyqi: Përpiqemi t’i përkrahim 100%

09.11.2023 15:29

Masat qeveritare për rritje të investimeve kapitale në kompanitë e vendit po tregojnë sukses...

Masat qeveritare për rritje të investimeve kapitale në kompanitë e vendit po tregojnë sukses, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi. Sipas Bytyqit, këto masa kanë vizion ngritjen e konkurrueshmërisë së kompanive vendase në tregjet ndërkombëtare, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e pagave të punëtorëve. Bytyqi thotë se Qeveria parashikon mjete në vlerë prej 366 milion euro për kompanitë dhe krijimin e 4,440 vendeve të reja të punës.
 
“E mbështesim për krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e investimeve kapitale dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut. Ne do t’i përgjigjemi besimit duke ndryshuar ligjin për mbështetje financiare të investimeve që pagesat ndaj kompanive që aplikojnë për përkrahje financiare të jetë 100 për qind për çdo kompani, me qëllim që në të ardhmen pagesa e mbështetjes të mos varet nga vullneti i askujt.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi. 
 
Bajrami: Jemi të kënaqur nga ndihma e Qeverisë
 
Pronari i kompanisë “Adrius”, Rexhep Bajrami, thotë se për kompanitë është e rëndësishme ndihma qeveritare sidomos në kohë krizash, me qëllim mbajtjen e punëtorëve në vend. Sa i përket tatimit solidar, potencon se është e drejtë dhe obligim që kompanitë që tregojnë sukses duhet të ndjehen krenar që japin kontribut në këtë krizë.
 
“Ne jemi të kënaqur nga ndihma e Qeverisë dhe kjo ndihmë ka qenë punë e mirë që ne të mund të përmirësojmë gjendjen tonë dhe t’i mbajmë punëtorët. Edhe në momentet e krizës kjo gjë na ka ndihmuar, ne nuk do të ndalemi dhe do të vazhdojmë që të rrisim kapacitetin, të rrisim numrin e të punësuarve. Ne kemi paguar tatimin solidar diku me 6 milion e 300 mijë denarë, ne kur paguajmë e paguajmë me krenari, sepse jemi ne që kemi tregu arritje dhe kjo është sukses.”, - theksoi pronari i kompanisë “Adrius”, Rexhep Bajrami.
 
Gjatë javës së ardhshme, kompanitë mund të aplikojnë dhe për mjete shtesë financiare në kuadër të masave antikrizë, që Qeveria pritet ta ndihmojë sektorin e biznesit. 
 
GAZMEND REXHEPI